Pesë muaj pas zgjedhjeve, Albin Kurti ka mbetur me vetëm një derë të hapur për diskutime rreth formimit të institucioneve – atë të Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt. Megjithatë, pavarësisht takimeve të shpeshta mes tyre, raporti ndërmjet dy liderëve duket i ndërtuar më shumë mbi nevojë sesa mbi besim.
Në një deklarim për media pas seancës së 51-të të Kuvendit, Fatmir Limaj e bëri të qartë se nuk i beson qasjes së Kurtit, i cili kishte thënë se “i ka votat për qeveri, por jo për kryetarin e parlamentit”. Sipas Limajt, një qasje e tillë është e rrezikshme.
“Duhet të kemi një zgjidhje të plotë politike, jo vetëm për Kuvendin. Nëse zgjedhim kryetarin e Parlamentit pa marrëveshje për shumicë qeverisëse, mund ta kemi një Kuvend të konstituuar që shkon drejt zgjedhjeve të reja. Ne nuk kontribuojmë për një skenar të tillë”, deklaroi Limaj.
Nga ana tjetër, Kurti në një intervistë mediatike u shpreh se, në momentin që konstituohet Kuvendi, ai si lider i partisë fituese do t’i ketë së paku 61 vota për formimin e qeverisë. Ai sfidoi opozitën ta votojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, nëse është e sigurt se nuk do të kalojë.
“Nëse janë të bindur që Albulena nuk ka votat, le ta provojnë me votim të fshehtë. Kuvendi duhet të konstituohet, dhe unë do të kem votat për qeveri”, tha Kurti.
Këto deklarata tregojnë qartë se, edhe pse Vetëvendosje dhe Nisma janë aktualisht të vetmit aktorë në komunikim të drejtpërdrejtë për zgjidhje institucionale, nuk ka aspak garanci që marrëveshja eventuale do të funksionojë. Limaj nuk i beson premtimit të Kurtit për ndarjen e pushtetit pas zgjedhjes së kryeparlamentarit. Ndërkohë, Kurti nuk ka dhënë asnjë shenjë se është i gatshëm t’i besojë Limajt ndonjë rol kyç institucional.
Në një kthesë të re procedurale, presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të ndalë afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, deri në një sqarim të ri ligjor nga ana e saj. Një lëvizje që synon të fitojë kohë për një zgjidhje të mundshme politike – ose të paktën për ta shmangur një krizë të re kushtetuese.