Ka dështuar të mbahet seanca ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetëve Fitore Pacolli-Dalipi, Salih Zyba (VV) dhe Drita Millaku (LDK), të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të vitit 2018. Arsyeja pse seanca e sotme ka dështuar të mbahet është për shkak se nuk nuk ishte prezent prokurori Valdrin Krasniqi.
Gjykatësi Sabit Sadikaj njoftoi se të gjitha palët ishin të pranishme, por mungesa e prokurorit ishte pa arsyetim. Ai tha se për këtë do të njoftohet Kryeprokurori.
Pas seancës, Sveçla u pyet për temperaturat e larta në Pallatin e Drejtësisë. “Nuk është kompetencë e jona”, tha ai shkurt. Megjithatë, sipas të dhënave zyrtare, brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme funksionon Departamenti për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare – organ që, ndër të tjera, mbikëqyr edhe çështjet e mirëmbajtjes së objekteve shtetërore, përfshirë Pallatin e Drejtësisë.
Seanca e sotme duhej të vazhdonte pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Themelore në qershor dhe vërtetimit të saj nga Apeli. Të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e parë më 26 mars.
Përveç përdorimit të gazit, ata ishin akuzuar edhe për “pengim të personit zyrtar”, por kjo vepër është parashkruar.
Sipas aktakuzës, më 21 mars 2018, të akuzuarit kanë hedhur disa bombola me gaz lotsjellës në seancën e Kuvendit, duke pamundësuar mbajtjen e saj. Ata akuzohen për “përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “pengim të personit zyrtar”. /Betimi për Drejtësi