Errët
Ndritshëm

Drita në fushë, terri në ekrane

22.07.2025
Azizi Profil Foto

Një tjetër mbrëmje historike në errësirë mediatike.

Sonte, kampioni i Kosovës, Drita e Gjilanit, zhvillon njërën nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj, një përballje të madhe kundër FC Copenhagen në raundin e dytë kualifikues për Ligën e Kampionëve. Një sfidë përballë një emri të madh të futbollit, një përballje që për shumicën e vendeve të vogla do të ishte një datë për t`u mbajtur mend. Në Kosovë, JO!

Asnjë televizion kosovar nuk do ta transmetojë ndeshjen, e cila zhvillohet me fillim nga ora 19:00 në Danimarkë. TURP. As tv publik, as ndonjë privat. Një klub që përfaqëson futbollin e Kosovës në garën më prestigjioze evropiane do të luajë në mungesë të shikuesve “teknologjikë”. Kjo nuk është hera e parë që ndodh. E njëjta shpërfillje u reprizua edhe në ndeshjen ndaj Differdange në Luksemburg. Më herët me përballjen e Prishtinës ndaj Sheriff Tiraspolit në Moldavi.

Ku janë televizionet tona? Ku është televizioni publik? Ku janë investimet në të drejtën për të parë skuadrat tona në Evropë?

Është e papranueshme që në vitin 2025, Kosova ende të mos jetë në gjendje të sigurojë transmetimin e ndeshjeve të klubeve të saj në garat evropiane. Bëhet fjalë për më shumë se një ndeshje futbolli, është përfaqësimi i vendit, krenaria kombëtare dhe pasqyra e një brezi të tërë futbollistësh që luftojnë jashtë kufijve tanë për respektin që shpesh nuk e gjejnë brenda.

Drita nuk ka udhëtuar në Kopenhagë për të dorëzuar flamurin e bardhë. Ashtu siç nuk u dorëzua as ndaj Feyenoordit e Malmos, edhe sonte do të luftojë për historinë. Por, ajo luftë nuk do të shihet nga shumica e tifozëve të saj. Do të mbetet një rrëfim nëpër rrjete sociale, një përmbledhje e shkurtër pas ndeshjes. Do të përjetohet nëpërmjet shkronjave, ai që merr kuptim, veç kur luhet e shikohet. Futbolli. KEK-u s`na la në terr këtë herë. Televizionet tona, PO. Madje RTK-ja, që paguhet me taksat tona.

Errët
Ndritshëm