Errët
Ndritshëm

Dëshmitarët zbulojnë detaje nga sulmi në Banjskë: Akomodimi i terroristëve dhe përballja me grupin

22.07.2025

Rade Nedelkoviq, roje në hotelin “Rasjka Banja”, ka dëshmuar në rastin “Banjska”, duke thënë se disa anëtarë të grupit terrorist ishin akomoduar në hotelin ku punonte ai. Sipas dëshmisë së tij, me ta kishte qenë edhe një person i plagosur.

“Unë të nesërmen kam shkuar në shtëpi dhe çka ka ndodhur me personin e plagosur nuk e di. Kanë shkuar në këmbë, nga asfalti në Manastir nëpër shkallë. Shefi nuk më ka urdhëruar për t’i akomoduar, por më ka thënë t’ia jap dhomën nr. 6. Lista ka qenë në recepcion. Lista mbetet te ata, e kanë librin ku mbajnë evidencë të mysafirëve,” ka thënë ai.

Ai ka shtuar se ka qenë i detyruar t’i pranojë, sepse kanë qenë të armatosur dhe nuk ka guxuar t’i refuzojë. Tutje ka deklaruar se nuk e di kush kanë qenë, sepse sipas tij, kanë qenë me maska.

“Milan Radojçiqin vetëm e kam dëgjuar për të dhe asnjëherë nuk e kam parë. Mendoj se vetëm një herë ka qenë. Nëse vinte, vinte si më ndryshe. Por ai vetë e ka pranuar, çfarëdo që mendoj. Ai e ka marrë përgjegjësinë, por ka mundësi. Kur ka ndodh sulmi, kanë ardhur të gjithë poshtë tek unë. U kam thënë: largohuni nga dritaret se mund të ju qëllojnë. Edhe unë kam dalë sa kam guxuar. Kam dëgjuar gjuajtje me armë. I kam thirrur në shtëpi t’i pyes në çfarë gjendje janë… atë natë drejtori nuk ka qenë në hotel,” ka shtuar ai.

Në vazhdim të seancës për rastin “Banjska”, ka dëshmuar edhe Halim Behramaj, polic hetues në njësinë e trafikut në Mitrovicë. Ai ka thënë se rreth orës 2 të mëngjesit, përmes radiolidhjes, një njësi kufitare kishte njoftuar se në Banjskë ishte vendosur një barrikadë.

Dy njësi kishin shkuar menjëherë në atë drejtim, ndërsa ai dhe kolegu Avni Shala kishin ndjekur pas tyre për asistim.

“500-600 metra pa shku në fshatin Banjskë, jemi taku me ta dhe vazhduam në drejtim të Banjskës. Kanë qenë tri vetura policore… pasi kemi arritur në fshatin Banjskë, ne kemi qenë 30 metra larg barrikadës (vetura jonë e treta). Jemi dalë prej veturës, policët që kanë qenë në veturën e parë kanë arritur te barrikada. Në atë moment polici Elez Peci na ka tërheq vërejtjen se mund të jetë kurth dhe kemi fillu të shpërndahemi,” ka thënë ai.

Ai ka shtuar se në vendin ku ka qenë barrikada ka pasur ndriçim të plotë, ndërsa në fshat errësirë totale. “Posa kemi filluar të shpërndahemi, e kemi dëgju një shpërthim të madh. Policët që kanë qenë më afër barrikadës janë barikadu aty afër. Ndërsa unë dhe Avni Shala jemi barikadu prapa veturës tonë. Të njëjtën kohë ka pasur edhe të shtëna me armë të ndryshme.”

Sipas tij, nga pozita dhe lloji i armëve, është kuptuar që nuk bëhej fjalë për një grup të zakonshëm kriminal, por për një grup të organizuar. “E kam vërejt që rreshteri Afrim Bunjaku është i shtrirë në rrugë. Na kemi qenë 30 metra larg dhe ishte e pamundur të afrohemi. Avni Shala e ka kthy zjarrin, pasi e kishte një armë automatike,” ka shtuar ai.

Ai ka treguar se nga fshati Izvor kishte ardhur edhe një autoblindë e njësisë së reagimit të shpejtë. Ka deklaruar se ka pasur gjuajtje me armë të rënda dhe se pozicioni i sulmuesve ka treguar qartë se bëhej fjalë për një grup shumë të organizuar.

Errët
Ndritshëm