Errët
Ndritshëm

Një muaj paraburgim për zyrtarin serb pas fjalimit kundër UÇK-së

20.07.2025

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Popoviq u ndalua nga Policia e Kosovës të premten, më 18 korrik 2025, pas një fjalimi të mbajtur në Rahovec, ku kishte bërë deklarata kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ndalimin e tij e ka konfirmuar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Sipas tij, deklarimet e Popoviqit kanë nxitur urrejtje dhe përçarje ndëretnike në vend.

“Ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore. Për këtë shkak, zyrtari i Qeverisë së Serbisë është ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut,” ka shkruar Sveçla.

Ai shtoi se ndaj Popoviqit do të ndërmerren masa në përputhje me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

Errët
Ndritshëm