Errët
Ndritshëm

Kërkohet paraburgim për dy persona të dyshuar për shantazh në Gjakovë

20.07.2025
Prokuroria Themelore Gjakove (8)

Gjakovë, 20 korrik 2025 – Dy persona me inicialet A.T. dhe V.H. pritet të përballen me masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pas dyshimeve për shantazh ndaj një gruaje nga Gjakova.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, “është marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve dhe është paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh”.

Hetimet deri më tani kanë zbuluar se të dyshuarit, të koordinuar mes vete, kanë kërcënuar viktimën – të dëmtuarën B.H., duke i kërkuar 5000 euro për të mos publikuar informacione që, sipas tyre, do ta dëmtonin rëndë nderin dhe autoritetin e saj.

Prokuroria bën të ditur se V.H., një javë para ngjarjes, e kishte telefonuar të dëmtuarën duke i thënë:
Unë kam fakte që ti ke kaluar me 2-3 persona dhe nëse nuk mi dërgon 5000 euro, këto prova do t’ia dërgoj burrit tënd”.

Një javë më vonë, në ditën kritike, V.H. e kishte telefonuar sërish duke e pyetur:
A vendose për pare?”,
ndërsa e dëmtuara, duke bashkëpunuar me policinë, i ishte përgjigjur se ishte e gatshme të dorëzonte paratë.

Sipas Prokurorisë, dorëzimi i parave ishte bërë në një qendër tregtare në Gjakovë, ku e pandehura V.H., e shoqëruar edhe nga vajza e saj 9-vjeçare, kishte marrë zarfin me para, por ishte ndaluar nga policia menjëherë pasi tentoi të largohej dhe të hidhte zarfin në tokë. Pak çaste më vonë u arrestua edhe i dyshuari tjetër, A.T., i cili kishte qenë në kontakt të vazhdueshëm me bashkëpunëtoren e tij.

Prokuroria thotë se me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Shantazhi”, nga neni 329 paragrafi 1, lidhur me nenet 31 dhe 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Errët
Ndritshëm