Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e komunës për sheshin “Xhorxh Bush”.
Rama thotë se, Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar vendimin e mëparshëm të Gjykatës Themelore, duke kthyer çështjen për rishqyrtim.
Rama përmes rrjeteve sociale, ka publikuar vendimin e shkallës së dytë, në bazë të së cilit është prishur aktvendimi i Themelores.Gjykata e Prishtinës, në qershor të këtij viti, në trajtimin e rastit për punimet në Sheshin “Xhorxh Bush” ka marrë vendim me të cilin ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk ka të drejtë të paraqesë padi në Gjykatë kundër Vendimit të Inspektoratit, që iu kishin ndaluar punimet në Shesh.
Kjo pasi Inspektorati sipas Ligjit është organ që ka këtë kompetencë.Ndërsa, sipas Ramës, ky vendim i Gjykatës së Apelit vërteton se kanë pasur të drejtë dhe se veprimi i tyre ka qenë në përputhje me interesin publik dhe me ligjin.
“Ata që i frikësohen një Prishtine për të gjithë, do të kuptojnë se koha e BLLOKADAVE të jashtëligjshme mbi kurrizin e qytetit po perëndon”- shkruan Rama, të shtunën, më 19.07.2025.
Sipas Ramës, shndërrimi i një rruge në shesh publik nuk është vendim momental, por strategji afatgjatë për zhvillim urban, mbrojtje të mjedisit dhe përmirësim të cilësisë së jetës.
Muajve të fundit, qeverisja lokale në Prishtinë ka pasur përplasje të vazhdueshme me strukturat e nivelit qendror. Vetë Përparim Rama për muaj me radhë ka pasur përplasje verbale me disa prej ministrave të Qeverisë në detyrë.
Kjo për shkak të pretendimeve për bllokim të projekteve në kryeqytet, të nisura nga Komuna e Prishtinës. Ndalimi i punimeve në sheshin ‘Xhorxh Bush’ është vetëm një prej përplasjeve më të mëdha që kanë karakterizuar raportet mes dy strukturave vitin e fundit.