Mesfushori shqiptar, Ardon Jashari, po e shtyn përpara gjithnjë e më shumë dëshirën e tij për t’u transferuar te Milani këtë verë, teksa situata e tij me Club Brugge po tensionohet.
Sipas të përditshmes italiane La Gazzetta dello Sport, 22-vjeçari nuk ka marrë pjesë në fotografinë zyrtare të ekipit belg të enjten, një shenjë e qartë e pakënaqësisë së tij dhe vendosmërisë për të ndryshuar ambient.
Milani ka bërë një ofertë zyrtare prej 32.5 milionë euro plus 2 milionë euro bonuse për shërbimet e Jasharit, por Brugge ende nuk e ka pranuar këtë propozim. Pavarësisht kësaj, Jashari, i cili u rikthye në stërvitje këtë javë, mbetet i vendosur të kompletojë kalimin në “San Siro” gjatë afatit kalimtar të verës.
Ylli i ri shqiptar është i vetëdijshëm se nuk do të mund të jetë pjesë e turneut aziatik të Milanit në fazën përgatitore, por shpreson t’i bashkohet skuadrës së re në fillim të muajit gusht.
Për shkak të ngërçit në negociata, drejtuesit kuqezinj kanë rikthyer interesimin edhe për mesfushorin e Valencias, Javi Guerra, i cili shihet si alternativa kryesore në rast të dështimit për të siguruar firmën e Jasharit.