Një person është arrestuar mbrëmë vonë në qendër të Prishtinës, pasi gjatë një kontrolli rutinë i është gjetur armë zjarri në trup.
Ngjarja ndodhi më 17 korrik, rreth orës 23:50, në rrugën “Ukshin Hoti”, ku i dyshuari u ndalua dhe u legjitimua nga Njësia për Reagim të Shpejtë.
Gjatë kontrollit, atij iu gjet një pistoletë me karikator dhe 15 fishekë të kalibrit 9 mm, të cilat u konfiskuan si provë materiale.
” Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se njësiti policor tek i njëjti, në trup, gjatë kontrollit, ka gjetur dhe ka sekuestruar një pistoletë me 15 copë fishekë”, thuhet në raport.
Personi u shoqërua në stacion policor dhe u intervistua në praninë e avokatit. Me urdhër të prokurorit, ndaj tij u caktua masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa arma u sekuestrua.