Ushtria izraelite ka bërë të ditur se ka sulmuar hyrjen e Ministrisë së Mbrojtjes së Sirisë të mërkurën në Damask, duke ashpërsuar bombardimet ajrore ndaj autoriteteve siriane.
Krejt kjo po bëhet, sipas Izraelit, me synimin e deklaruar për mbrojtjen e pakicës druze, raporton Reuters.
Ministria e Punëve të Jashtme të Sirisë dënoi, atë që e quajti “agresion tradhtar izraelit” dhe njoftoi se “një numër i pjesëtarëve të forcave tona të armatosura dhe personelit të sigurisë”, si dhe “disa civilë të pafajshëm”, janë vrarë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Sirisë, Noureddine al-Baba, tha për Associated Press se përplasjet në Suweida “nuk janë në thelb të natyrës sektare”.
“Konflikti i vërtetë është mes shtetit dhe banditëve e kriminelëve, jo mes shtetit dhe ndonjë komuniteti sirian,” u shpreh ai. “Përkundrazi, shteti e sheh komunitetin druzi në Suweida si një partner në avancimin e projektit të unitetit kombëtar”, tha ai.
Është dita e tretë që Izraeli sulmon Sirinë në vendet ku forcat e sigurisë po përleshen me luftëtarët vendas druzë në qytetin jugor Sweida.
Burime të sigurisë brenda Ministrisë së Mbrojtjes i kanë thënë Reutersit se dy sulme ajrore me dronë kanë qëlluar ndërtesën dhe se zyrtarët janë strehuar në bodrum. Televizioni shtetëror Elekhbaraiya ka raportuar se sulmet izraelite kanë plagosur dy civilë.
Ushtria izraelite ka thënë se ka “sulmuar portën hyrëse të kompleksit të selisë së regjimit ushtarak sirian” në Damask dhe se po vazhdon të monitorojë “zhvillimet dhe veprimet që po ndërmerren kundër civilëve druzë në Sirinë jugore”.
Mediat shtetërore siriane dhe dëshmitarët kanë thënë se sulmet ajrore izraelite gjatë së mërkurës kanë qëlluar edhe qytetin e dominuar nga druzët, Sweida, ku për të katërtën ditë me radhë kanë vazhduar luftimet pas shkeljes së armëpushimit.
Forcat qeveritare siriane janë vendosur në rajonin Sweida që nga e hëna, që të ndalnin luftimet ndërmjet luftëtarëve druzë dhe civilëve sunni.