Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar më 15.07.2025 lidhur me vendimin e Gjykatës Supreme me të cilin është shfuqizuar udhëzimi administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë.
Gjykata Supreme ka shfuqizuar udhëzimin administrativ në fjalë me arsyetimin se ky akt është miratuar nga një qeveri në detyrë dhe nga një ministër në detyrë, të cilëve, sipas saj, u mungon kompetenca për të nxjerrë akte nënligjore.
Lidhur me këtë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia që ai udhëheq dorëzoi 17 kallëzime penale në Prokurorinë Speciale për të gjithë ata që sillen njëkohësisht si ministra dhe deputetë mirëpo, sipas tij, Prokuroria nëpërmjet një letre i kërkoi LDK-së argumente shtesë.
“Sot, Gjykata Supreme e Republikës foli qartë. Me një vendim të prerë, ajo konstatoi se ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe ministrit në të njëjtën kohë është joligjor; dhe si i tillë, përbën vepër penale. Nesër, LDK do ta dorëzojë këtë vendim zyrtarisht në Prokurori. Një dëshmi më shumë. Një aktgjykim tashmë i formës së prerë”- tha kryetari i LDK-së.