FC Barcelona ka zyrtarizuar sot se talenti i jashtëzakonshëm, Lamine Yamal, do të mbajë fanellën me numër 10 për sezonin e ardhshëm, një numër simbolik i historisë së klubit, i veshur më parë nga legjenda si Lionel Messi.
Njoftimi u bë publik përmes kanaleve zyrtare të klubit, në të njëjtën ditë kur u zyrtarizua edhe rinovimi i kontratës së Yamal deri më 30 qershor 2031. Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në prani të presidentit Joan Laporta, zëvendëspresidentit Rafa Yuste dhe drejtorit sportiv Deco.
17-vjeçari ka shpërthyer në skenën ndërkombëtare pas paraqitjeve mbresëlënëse me kombëtaren e Spanjës në Euro 2024, ndërsa me Barcelonën ka qenë një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës, pavarësisht moshës.
Vendimi për t’i besuar numrin 10 Yamalit vjen në një kohë kur Barcelona po përpiqet të ndërtojë një projekt të ri ambicioz rreth brezit të ri të futbollistëve të rritur në La Masia. Klubi e sheh Yamalin si liderin e së ardhmes dhe figurën që do të mbajë peshën e identitetit blaugrana në vitet në vijim.
Ceremonia publike për zyrtarizimin e marrëveshjes dhe prezantimin me fanellën e re pritet të mbahet në ditët në vijim në ambientet e “Spotify Camp Nou”, ku klubi synon ta paraqesë Yamalin si simbol të rilindjes sportive dhe institucionale.