Errët
Ndritshëm

Ministrat e certifikuar si deputetë nuk mund të marrin vendime, shfuqizohet udhëzimi i Muratit

15.07.2025

Gjykata Supreme ka vendosur se ministrat që janë certifikuar si deputetë nuk mund të marrin vendime ekzekutive. Në këtë bazë, është shfuqizuar udhëzimi administrativ për arkat fiskale, i nënshkruar nga Hekuran Murati pas certifikimit të mandatit të tij si deputet.

“Prandaj, përderisa akti i kontestuar është nxjerrë nga një autoritet i paautorizuar dhe në mungesë të kompetencës ligjore, si dhe është në kundërshtim me parimet e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, Gjykata vlerëson se akti i kontestuar duhet të shfuqizohet si i kundërligjshëm dhe në shkelje të dispozitave kushtetuese”, thuhet në vendim.

Sipas Kushtetutës, ushtrimi i funksionit të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë nuk lejohet. Gjykata ka theksuar se mungesa e kompetencës për nxjerrjen e aktit përbën shkelje të dispozitave kushtetuese dhe ligjore.

Udhëzimi ishte nënshkruar më 15 prill, rreth 20 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, dhe parashihte digjitalizimin e sistemit të arkave fiskale.

Ministri Murati e ka quajtur vendimin të pabazë dhe ka thënë se ai ndalon përparimin teknologjik dhe vazhdon koston për bizneset. Ai ka publikuar edhe emrat e gjyqtarëve që morën vendimin.

Monopoli i arkave fiskale me kosto enorme për bizneset tatimpaguese, i vendosur në kohën kur Bedri Hamza kishte qenë ministër i Financave, parashihej të merrte fund me udhëzimin e ri administrativ, i cili hapte rrugën për arkat fiskale digjitale, siç tashmë e kanë bërë edhe shumica e shteteve në rajon. Mirëpo sot Gjykata Supreme, me gjykatës Delushe Halimi, Lumni Sallauka, dhe Franciska Zhitija-Ymeri, paska vendosur që udhëzimi administrativ për arka fiskale digjitale të shfuqizohet”,tha a.

Ndërkohë, Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka kritikuar reagimin e Murati.

Ehat Miftaraj, i cili është drejtor i këtij Instituti, ka thënë se është i papranueshëm reagimi i tij.

“Është e papranueshme që një ministër në detyrë të komentojë vendimet gjyqësore”. “Është e dënueshme kur një ministër përmend me emër gjyqtarët e Gjykatës Supreme në një postim publik”, ka thënë ai.

Në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës, që ka dorëzuar kallëzime penale për këtë çështje, ka kërkuar që Prokuroria të veprojë menjëherë.

“LDK-ja kërkon nga Prokuroria e Shtetit që të trajtojë me prioritet këto shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore dhe të veprojë pa vonesë mbi bazën e kallëzimeve penale të parashtruara nga deputetët tanë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Errët
Ndritshëm