Fiorentina ka bërë zyrtar rikthimin e Stefano Piolit në stolin e saj. Trajneri italian ka firmosur kontratë deri më 30 qershor 2028, duke filluar një kapitull të ri me klubin që e njeh mirë – si trajner e dikur edhe si lojtar.
Ky është një “rikthim në shtëpi” për Piolin, i cili e kishte drejtuar ekipin “vjollcë” edhe në periudhën 2017–2019, ndërsa si futbollist kishte mbrojtur ngjyrat e Fiorentinës nga viti 1989 deri më 1995.
Klubi ka bërë publike edhe përbërjen e plotë të stafit teknik që do ta shoqërojë Piolin në këtë aventurë të re:
Andrea Tarozzi – ndihmëstrajneri i parë
Gianmarco Pioli, Jesse Andrea Fioranelli, Riccardo Taddei dhe Oleksandr Nizelik – asistentë
Matteo Osti, Roberto Peressutti dhe Alessio Butini – përgatitja fizike
Martino Vignali dhe Andrea Tordi – analistë ndeshjesh
Giorgio Bianchi dhe Alessandro Dall’Omo – trajnerë të portierëve
Presidenti i Fiorentinës, Rocco Commisso, është shprehur i entuziazmuar për këtë rikthim:
“Jam shumë i kënaqur që Stefano Pioli është rikthyer me ne. Që nga fjalët e para të bisedës sonë, ndjeva cilësitë e tij të forta personale dhe përkushtimin e sinqertë ndaj klubit dhe qytetit që ai e njeh kaq mirë.”
Fiorentina e nis me ambicie sezonin e ri, duke besuar se përvoja dhe lidhja emocionale e Piolit me klubin do të sjellin fryte të rëndësishme.