Edhe të premten, deputetët nuk arritën ta formojnë komisionin për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit.
Deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra akuzon Vetëvendosjen për uzurpim të Kosovës
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka marrë peng Kosovën.
“Sot përballemi me një përpjekje të qartë për shtypjen e pluralizmit politik dhe uzurpimin e pushtetit përmes kontrollit të plotë mbi institucionet e Republikës së Kosovës,” tha Deliu-Kodra në fjalimin e saj në foltoren e Kuvendit, pas dështimit të 45-të të seancës konstituive.
“A është e turpshme dhe antikushtetuese që deputetët e zgjedhur me votën e qytetarëve sot nuk lejohen të ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues,” shtoi ajo.
Deliu-Kodra e cilësoi fjalimin e saj si një protestë.
“Është një protestë kundër një njeriu që sillet si pronar i shtetit, jo si shërbëtor i tij,” deklaroi ajo.
Ajo i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që “të zbresë në tokë”, të lërë mënjanë inatet personale dhe të kthehet tek rendi kushtetues dhe demokratik.
“Kosova nuk mund të mbahet peng nga egoja jote personale, Albin Kurti,” tha Deliu-Kodra.
Në të njëjtën linjë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni, e akuzoi Vetëvendosjen për uzurpim të institucioneve.
“Uzurpimi i institucioneve, shkelja e kushtetutës, shmangia e procedurave dhe rendi i ditës në seancën konstituive të Kuvendit janë prova se këta njerëz punojnë vetëm për pushtetin dhe jo për qytetarët,” tha Hyseni.
Ndërsa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, kritikoi kryeministrin në detyrë Albin Kurti për premtime të pambajtura.
“Një nga premtimet e tij ishte lufta kundër oligarkëve. A është oligark Martin Berishaj, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës dhe abuzim me miliona euro? Nuk ka pasur asnjë shkarkim, sepse ai është shok i Kurtit dhe e justifikon mafian energjetike që ka instaluar Kurti në Kosovë,” tha Kadrijaj.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet të dielën nga ora 11:00.