Errët
Ndritshëm

Mijëra boshnjakë përkujtojnë 30-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, plagës më të rëndë të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore

11.07.2025

U mblodhën me mijëra. Në ditën e premte për shumë boshnjak destinacion ishin varret pranë Srebrenicës për të shënuar 30-vjetorin e masakrës ku mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992–1995.

Përveç viktimave që kanë varre janë edhe 1,000 të tjerë që edhe pas 30 viteve nuk janë gjetur.

Masakra në Serbrenicë konsiderohet si mizoria më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ajo mbetet një plagë që edhe sot, dekada më pas, vijon të rëndojë mbi ndërgjegjen e 3 milionë banorëve të Bosnjë-Hercegovinës.

Gjatë një ceremonie të mbajtur të premten, mbetjet e pjesshme të shtatë viktimave u varrosën pranë 6,750 të tjerëve që tashmë prehen aty.

Të mbijetuar, familjarë dhe zyrtarë ecën përgjatë rreshtave të gurëve të bardhë të varreve. Disa u lutën dhe derdhën lot pranë varreve, ndërsa të tjerë qëndronin të palëvizur, me kokën të fshehur mes duarve.

“Ndjej kaq shumë dhimbje dhe trishtim për të gjithë këta njerëz dhe për të rinjtë,” tha një grua e quajtur Sabaheta nga qyteti lindor i Gorazhdes, raporton Reuters.

Masakra ndodhi pasi Srebrenica, e shpallur si “zonë e sigurt” nga OKB-ja për civilët gjatë luftës në Bosnje, u pushtua nga forcat nacionaliste serbe të Bosnjës, që pasoi shpërbërjen e Jugosllavisë federale.

Errët
Ndritshëm