Errët
Ndritshëm

Macron: Srebrenica, një plagë e hapur në ndërgjegjen e Evropës

11.07.2025

Me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përmes një mesazhi të lexuar nga Ministri i Çështjeve Evropiane, Benjamin Haddad, përcolli një qëndrim të fuqishëm përkujtimor, duke shprehur respekt, mbështetje dhe reflektim të thellë ndaj tragjedisë që ndodhi në Bosnje dhe Hercegovinë.

Macron e cilësoi masakrën e korrikut 1995 si një njollë të pashlyeshme në kujtesën e përbashkët të Evropës dhe të botës. Ai theksoi se kjo ngjarje duhet të qëndrojë përgjithmonë në ndërgjegjen kolektive dhe të na detyrojë të qëndrojmë të sinqertë përballë së vërtetës dhe drejtësisë.

“E vërteta nënkupton pranimin e plotë të shkallës së krimit, i motivuar nga urrejtja etnike, por gjithashtu edhe njohjen e dështimit të bashkësisë ndërkombëtare për të mbrojtur civilët,” tha presidenti francez. Sipas tij, ky pranim nuk është thjesht një retrospektivë, por një angazhim për të parandaluar që ngjarje të tilla të mos ndodhin më kurrë.

Macron paralajmëroi kundër çdo përpjekjeje për të mohuar ose rishkruar të kaluarën, duke theksuar se drejtësia ndërkombëtare duhet të respektohet. “Nuk ka vend për revizionizëm apo mohim të së vërtetës në një rajon që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian,” u shpreh ai.

Në përmbyllje të mesazhit, Macron kujtoi shembullin e marrëdhënieve të reja midis Francës dhe Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, si një dëshmi e mundësisë për pajtim dhe ndërtim të paqes mes kombeve dikur në konflikt. Ai u zotua se Franca do të qëndrojë përkrah Bosnjës dhe Hercegovinës në rrugëtimin e saj drejt paqes, stabilitetit dhe integrimit evropian.

“Ky kujtim na angazhon për guxim, për ndërtimin e përditshëm të paqes dhe besimit – pa përjashtuar askënd,” tha ai. “Franca mbetet me ju – për të mbështetur Bosnjën dhe Hercegovinën në rrugën e vështirë, por të domosdoshme të pajtimit dhe të një të ardhmeje evropiane të përbashkët.”

Errët
Ndritshëm