Pas paraqitjes së rastit të parë me sëmundjen PPR në fshatin Landovicë të Prizrenit, në AUV është mbajtur takimi i parë për menaxhimin e situatës. Autoritetet thonë se sëmundja është nën kontroll, falë reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit të fermerëve.
Fermerët janë të obliguar të njoftojnë menjëherë për çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore të kafshëve, ndërsa ndalohet lëvizja, tregtimi dhe shitblerja e deleve dhe dhive. Lejohet vetëm dërgimi në thertore të licencuara me miratim të AUV-së.
Derisa nuk është regjistruar asnjë rast i ri, AUV bën thirrje për zbatim të rreptë të masave, duke përfshirë groposjen e kafshëve të infektuara dhe dezinfektimin e fermave. Masat janë në fuqi nga 3 korriku.
PPR është sëmundje virale, shumë ngjitëse për delet dhe dhitë, por nuk rrezikon shëndetin e njerëzve.
Këto janë masat e përgjithshme:
a) Ndalimi i lëvizjes së deleve dhe dhive nga fermat, tregtimin në tregjet e dhe shitblerjen;
b) Fermerët obligonë qe menjëherë të njoftojnë veterinarin rast të ndryshimit të gjendjes shëndetësore të deleve dhe dhive në fermat e tyre,
c) Praktikat veterinare janë të obliguar njoftojnë secilin rast të dyshuar me PPR tek autoriteti zyrtar AUV,
d) Kryerjen e inspektime të menjëhershme të fermave të dyshuara, marrja e mostrave dhe dërgim në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë;
e) Groposja e kafshëve në fermat të cilat rezultojnë të infektuara me PPR;
f) Komunat obligohen të përcaktojnë lokacionet për asgjësim të kafshëve të infektuar
g) Dezinfektimi i objekteve dhe zonave përreth e fermave dhe zonave përreth rasteve të shpërthimit të sëmundjes;
II. Përjashtimisht nga pika I e këtij vendimi, lejohet lëvizja deleve dhe dhive nga fermat e lira nga kjo sëmundje në thertore të licencuara, me pëlqimin paraprak të inspektorit veterinar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
III. Urdhërohen të gjithë menaxheret e tregjeve që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi të pezullojnë pranimin e deleve dhe dhive në hapësirat e tyre.
IV. Obligohen të gjitha Komunat, Policia e Kosovës, në koordinim dhe bashkëpunim me AUV-në të bëjnë mbikëqyrjen e zbatimit të masave.
Çfarë është sëmundja PPR?
Sipas AUV-it sëmundja Peste des Petits Ruminants (PPR), e njohur si Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë. Ajo karakterizohet nga simptoma të rënda si: temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, diarre, pneumoni dhe kollitje e fortë.
PPR shkakton dëme të konsiderueshme në shëndetin e kafshëve, rrit nivelin e ngordhshmërisë dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë blegtorale.
Kjo sëmundje nuk është zoonotike, që do të thotë se nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve dhe nuk transmetohet nga kafsha tek njeriu.