Errët
Ndritshëm

Toni Kroos mahnitet nga Lamine Yamal: Nuk kam parë kurrë një fëmijë si ai

10.07.2025
01jzqc91n3ngcx0jxg0p

Performancat e jashtëzakonshme të Lamine Yamal, si me Barcelonën ashtu edhe me Kombëtaren e Spanjës, kanë tërhequr vëmendjen e shumë figurave të njohura të futbollit botëror, përfshirë legjendën gjermane Toni Kroos.

Ish-mesfushori i Real Madridit, i cili së fundi ka mbyllur një karrierë të lavdishme në nivelet më të larta të futbollit evropian, nuk kurseu fjalët e lavdërimit për adoleshentin katalanas, duke e cilësuar atë si një fenomen të rrallë.

Edhe unë isha pjesë e ekipit të parë të Bayern Munichut në moshën 17-vjeçare, por nuk isha në nivelin e tij – ajo që po bën Yamal është spektakolare. Nuk kam parë kurrë një lojtar si ai në atë moshë”, deklaroi Kroos në një intervistë për mediat gjermane. “Po flas për qëndrueshmërinë e performancës së tij, jo vetëm për talentin, sepse ai është i dukshëm.”

Për Kroos, ajo që e bën Yamalin të veçantë nuk është vetëm cilësia teknike apo shpejtësia, por qasja e tij mentale në fushë. “Në momente të vështira, ai nuk fshihet – bën një hap përpara. Kjo është e jashtëzakonshme për dikë që ende nuk i ka mbushur 18 vjet.”

Ndërkohë që entuziazmi rreth yllit të ri të Barcelonës është rritur ndjeshëm, me parashikime që ai mund të jetë pretendent i rregullt për Topin e Artë në të ardhmen, Kroos theksoi se rruga drejt madhështisë nuk varet vetëm nga ajo që ndodh në fushë.

Një karrierë nuk është një sprint, por një maratonë. Do të shohim në 5 apo 10 sezonet e ardhshme si do të evoluojë, si do të përballet me presionin dhe me gjithçka që vjen nga jashtë”, shtoi ai.

Yamal pritet të rikthehet në aksion me Barcelonën gjatë ndeshjeve parasezonale që fillojnë këtë fundjavë. Ndërkohë, ai po afron drejt një tjetër momenti historik: ditëlindja e 18-të, që mund të shënojë fillimin e një kapitulli të ri në karrierën e tij të jashtëzakonshme.

 

Errët
Ndritshëm