Errët
Ndritshëm

Kryeministri Kurti reagon për vdekjen e Agon Zejnullahut: Presim hetim të drejtë dhe të paanshëm

09.07.2025

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për herë të parë lidhur me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, duke theksuar se duhet pritur verdikti i plotë nga institucionet kompetente.

Ai theksoi se për të kuptuar tërësisht atë që ndodhi më 7 korrik, nevojitet një hetim i pavarur dhe profesional nga institucionet përgjegjëse.

“Pres hetim të thellë dhe të shpejtë që zbardh të gjitha rrethanat, në mënyrë që të vendoset drejtësia dhe të ketë llogaridhënie. Nuk do të ketë strehë për askënd që ka tejkaluar kompetencat apo ka thyer ligjin gjatë detyrës zyrtare,” shtoi Kurti.

Ai kritikoi edhe përpjekjet për të njollosur Policinë e Kosovës duke nisur një anti-fushatë.

“Diskutimet dhe gjykimet publike që po bëhen janë veçanërisht të vështira për familjen dhe miqtë. Tendenca që të nisë një anti-fushatë ndaj Policisë së Kosovës është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje,” tha Kurti.

Kryeministri përmendi se thirrjet për drejtësi dhe përgjegjësi janë të drejta, por duhet të bazohen në rezultatet e hetimeve dhe vendimet e institucioneve.

Pesë policë dyshohen për “vrasje nga pakujdesia” dhe pritet t’u caktohet paraburgimi. Agon Zejnullahu vdiq gjatë arrestimit me dyshimin se po sulmonte kalimtarë dhe automjete në Lipjan.

Errët
Ndritshëm