Policia e Kosovës ka dërguar një komunikatë për media duke sqaruar rrethanat e rastit ku vdiq një 27-vjeçar në Lipjan pas arrestimit.
Sipas këtij institucioni, para arrestimit të personit, zyrtarët policorë kanë komunikuar dhe negociuar me të njëjtin për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor.
Po ashtu, Policia thotë se gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit ka telefonuar ndihmën e shpejtë për t’i ofruar ndihmë mjekësore personit, pasi gjatë gjithë kohës ka vërejtur gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike.
“Në këtë rrjedhë, i njëjti ka qenë jo bashkëpunues dhe ka tentuar të ikë, por zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë”.
Policia ka thënë se autoambulanca me ekipin mjekësor emergjent, kanë arritur në vendin e ngjarjes brenda një kohe shumë të shpejtë (3 min), për t’i dhënë ndihmën e parë personit në fjalë, ku më pas njësia emergjente ka konstatuar vdekjen e tij.
Policia ka deklaruar se në vendngjarje te personi janë gjetur në posedim gjësende personale dhe substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim.
Vëllai i 27-vjeçarit që vdiq në Lipjan pas arrestimit nga Policia, Alban Zejnullahu, ka thënë se vëllai i tij ka vdekur si pasojë e dhunës së përdorur ndaj tij.
Viktima, sipas tij, ka pasur më shumë se 20 plagë në të gjitha pjesët e trupit.
Zejnullahu ka shtuar se deri tash askush nga institucionet nuk i ka kontaktuar.
Reagimet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar sot, më 08.07.2025, lidhur me vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, i cili dyshohet se vdiq deri sa po arrestohej pak pas mesnatës, më 07.07.2025.
Osmani tha se të gjitha rrethanat e këtij rasti duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe profesionale dhe secili zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të vihet përpara drejtësisë pa asnjë vonesë.
“Ngjarja e rëndë dhe tronditëse e vdekjes së një të riu 27-vjeçar, rreth së cilës ekzistojnë dyshime serioze se ka ndodhur gjatë ndërhyrjes së policisë, kërkon urgjentisht transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis”- thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vdekjes tragjike të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili humbi jetën në duart e zyrtarëve policorë. Bajrami ka shprehur ngushëllimet për familjen e të ndjerit, duke e cilësuar rastin si alarmant dhe kërkuar hetim të menjëhershëm e të gjithanshëm:
“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zejnullahu dhe për gjithë qytetarët e Kosovës për vdekjen e Agonit!
Prokuroria dhe Inspektorati Policor duhet ta hetojnë plotësisht këtë rast – të gjitha rrethanat dhe pistat e mundshme, dhe të ndriçojnë deri në detaje rastin e vdekjes së 27-vjeçarit.
Është thelbësore që hetimi të zhvillohet pa asnjë vonesë.
Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor, duhet të garantojnë zbatimin e standardeve profesionale dhe respektimin e ligjit në çdo rast të ndalimit apo trajtimit të qytetarëve.
Përveç përgjegjësisë individuale, duhet të ketë edhe përgjegjësi politike, deri te deputeti Kurti, i cili vazhdon të mbajë pozitën e kryeministrit në kundërshtim me ligjin.
Ne kemi përkrahur dhe do të përkrahim kërkesat e ligjshme të Policisë së Kosovës për kushte më të mira pune dhe mbështetje institucionale, por njëkohësisht do të kërkojmë llogari dhe zbatim të ligjit!”
Pas vdekjes tragjike të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, vdekje që tronditi opinionin publik, duke ngritur dyshime serioze për tejkalim të autorizimeve nga ana e Policisë së Kosovës, profesori Milazim Krasniqi ka ngritur alarmin për rrezikun e institucionalizimit të dhunës brenda organeve të sigurisë.
Duke iu referuar sjelljes represive të autoriteteve në Serbi ndaj protestuesve, Krasniqi bëri thirrje për vigjilencë ndaj tendencave të ngjashme që mund të shfaqen edhe në Kosovë.
“Nëse policia lejohet të sillet brutalisht ndaj një pjese të qytetarëve, një pakice etnike a fetare, me kohë ajo fillon e sillet keq ndaj të gjithëve. Ne duhet ta ndalim tendencën e tillë në policinë e Kosovës. Shikojeni rastin më të ri të policisë në Serbi: ajo po bën terror mbi protestuesit serbë. Ajo polici është dresuar të bëjë terror e krime ndaj joserbëve, serbët janë pajtuar, ose kanë heshtur. Tash po ajo polici u është drejtuar vetë serbëve.” – shkroi Krasniqi.
HESHTJA
Kryeministri Albin Kurti nuk ka thënë asnjë fjalë për rastin.
Në heshtje ka qëndruar edhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.