Errët
Ndritshëm

Sveçla për vdekjen në Lipjan: Askush nuk është mbi ligjin

08.07.2025

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar të martën, një ditë pas vdekjes së dyshimtë të 27-vjeçarit në Lipjan.

Agon Zejnullahu vdiq në orët e para të së hënës, gjatë arrestimit nga policia, për shkak se dyshohej se po sulmonte automjete e kalimtarë. Familjarë të Agonit dyshojnë se ai vdiq si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia gjatë arrestimit. Gjatë ditës së djeshme, për rastin është rekomanduar suspendimi i pesë zyrtarëve policorë, të cilët janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën “vrasje nga pakujdesia”.

Sveçla e siguroi familjen se kushdo që është fajtor do të përballet me drejtësinë.

“Pres që sa më shpejt të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat, si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar”, tha ai.

Ministri Sveçla ka thënë se, sapo është informuar për rastin, ka kërkuar angazhim urgjent dhe profesional të Inspektoratit Policor.

“Si Ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës, si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal”, tha ai përmes një postimi në Facebook.

Sipas tij, bashkëpunimi mes IPK-së, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e rastit.

“Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Familjarëve të të ndjerit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Pres që sa më shpejt të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat, si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti”, tha Ministri Sveçla.

Ai po ashtu përmendi se Policia e Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i besuar dhe kredibil në vend.

Errët
Ndritshëm