Errët
Ndritshëm

Avokati i Popullit nis hetimet për vdekjen e 27-vjeçarit në Lipjan

08.07.2025

Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur procedurat hetimore për të vlerësuar nëse janë shkelur të drejtat e njeriut në rastin e vdekjes së Agon Zejnullahut, 27-vjeç, i cili ndërroi jetë të hënën në Lipjan, gjatë arrestimit nga Policia e Kosovës.

Zejnullahu vdiq në orët e para të mëngjesit, pasi dyshohej se po sulmonte automjete dhe kalimtarë. Familja e të ndjerit ka akuzuar policinë për përdorim të dhunës gjatë arrestimit. Deri tani, pesë zyrtarë policorë janë suspenduar dhe ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.

Avokati i Popullit ka theksuar se përdorimi i forcës përtej nevojës përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Policia ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik, por gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor. Çdo tejkalim i autorizimeve dhe çdo formë dhune apo keqtrajtim janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me përgjegjësi të plotë”, thuhet në reagimin e IAP-së.

Avokati i Popullit ka hapur procedurë hetimore zyrtare dhe ka njoftuar se do të monitorojë veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor.

Errët
Ndritshëm