Agjencia për Menaxhimin Emergjent ka njoftuar se aktualisht në Kosovë janë aktive 15 vatra zjarri, të përhapura kryesisht në zona fushore dhe malore në disa komuna të vendit.
Sipas të dhënave të sistemit emergjent 112, vatrat janë raportuar në fshatin Rashan të Mitrovicës, në Llaushë të Skenderajt, ku zjarrfikësit dhe Policia e Kosovës janë duke ndërhyrë. Në këtë zonë është kërkuar edhe ndihma ajrore nga KFOR-i për shkak të përmasave të zjarrit. Zjarr aktiv është raportuar edhe në fshatin Burrnik të Ferizajt, në Shkukëz të Gjakovës dhe në Ujmir të Klinës, ku zjarri ka përfshirë një zonë malore të paarritshme për automjetet zjarrfikëse.
Situatë e ngjashme është paraqitur edhe në Trebicë të Leposaviqit, si dhe në katër fshatra të Podujevës – Batllavë, Belloshë, Hërticë dhe një tjetër që nuk është specifikuar në njoftim. Edhe në fshatin Jesenovik të komunës së Novobërdës është raportuar për zjarr aktiv.
Nga dita e djeshme, zjarre të mëdha janë lokalizuar në komunat Malishevë, Shtime dhe Podujevë.
Agjencia për Menaxhimin Emergjent bën të ditur se nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima, ndërsa dëmet materiale janë të pranishme. Në shumë zona, përveç zjarrfikësve dhe policisë, edhe qytetarët janë përfshirë në përpjekjet për shuarjen e zjarrit.
Agjencia u bën thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura.
“Për të parandaluar rrezikun nga zjarret në rritje, Agjencia apelon te qytetarët e vendit:
– Të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura.
– Të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshuar në numrat emergjentë pa pagesë : 112, 193, 192”, thuhet në njoftim.