Errët
Ndritshëm

Damka për aktakuzën ndaj tij: S’kam marrë ftesë, jam i bindur që nuk kam keqpërdorur asnjë cent

05.07.2025

Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka reaguar pas njoftimit të Prokurorisë Speciale për ngritjen e aktakuzës ndaj tij për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Ai tha se ende nuk ka pranuar ftesë nga gjykata dhe se nuk mund të komentojë për një dosje që nuk e ka parë.

“Së pari, ende nuk kam marrë asnjë ftesë. Kështu që nuk mundem me komentu sepse nuk e kam lexuar. Kur të më thirr gjykata, do të paraqitem me plot vullnet. Jam i bindur se nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore, asnjë keqpërdorim, asnjë cent të Republikës së Kosovës,” tha Damka të shtunën para hyrjes në Kuvend.

Ai shprehu shqetësim për faktin që, sipas tij, aktakuza po komentohet nga parti opozitare dhe nga media, edhe pse palët e përfshira ende nuk kanë qasje në të.

“Është shqetësuese ta elaborojë dosjen një parti opozitare apo mediat, të cilën ende nuk e kemi ne. Faktet dhe dëshmitë do të paraqiten në gjykatë,” theksoi ai.

Damka gjithashtu mbrojti përfshirjen e organizatës “Caritas Zviceran” në projektin për të cilin po akuzohet.

“Është fatkeqësi të përdoret emri i ‘Caritasit’ zviceran, që është organizatë qeveritare e Zvicrës dhe kontribuon prej 25 vjetësh në projekte milionëshe në Kosovë. Edhe në këtë projekt ka kontribuar me 1.6 milionë euro. Krejt janë transparente,” deklaroi ministri.

Ai u shpreh i sigurt se drejtësia do të zbardhë të vërtetën.

“Do të sqarohen të gjitha në gjykatë sepse besoj në drejtësinë e Kosovës,” u shpreh Damka.

Prokuroria Speciale njoftoi të premten se ka ngritur aktakuzë ndaj Damkës dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Besim Kamberaj. Sipas aktakuzës, ata dyshohen se në periudhën 16 gusht 2021 – 24 mars 2022 kanë tejkaluar kompetencat ligjore për të siguruar përfitime pasurore për dy organizata joqeveritare: “Germin” dhe “Caritas Zviceran”.

Errët
Ndritshëm