Sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah, ka shprehur ngushëllime për familjen e tashmë ish-bashkëlojtarit të tij, Diogo Jota, i cili humbi jetën bashkë me vëllain e tij në një aksident tragjik në Spanjë.
Salah thotë se është pa fjalë, dhe shprehet se tashmë ka nisur të frikësohet edhe vetë për rikthim në Liverpool pas pushimit.
“Vërtet nuk kam fjalë. Deri dje, nuk mendoja kurrë se do të kishte diçka që do të më frikësonte nga rikthimi në Liverpool pas pushimit”, shkroi Salah në një postim në Facebook.
Ai thotë se do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të pranohet që Diogo nuk do të jetë aty kur të gjithë do të kthehen në Anfield.
“Shokët e ekipit vijnë e shkojnë, por jo kështu. Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të pranohet që Diogo nuk do të jetë aty kur të kthehemi”.
Ai u shprehu ngushëllime familjes së tij të ngushtë – gruas, fëmijëve dhe prindërve.
“Mendimet e mia janë me gruan e tij, fëmijët e tij dhe sigurisht prindërit e tij që humbën papritur fëmijët e tyre. Ata që janë afër Diogos dhe vëllait të tij, Andres, kanë nevojë për gjithë mbështetjen që mund të marrin. Ata nuk do të harrohen kurrë”, tha Salah.