Futbollisti portugez i Liverpoolit, Diogo Jota, ka ndërruar jetë në moshën 28-vjeçare, pas një aksidenti të rëndë trafiku në provincën Zamora të Spanjës. Ngjarja ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, ku automjeti i tipit Lamborghini, me të cilin udhëtonte Jota së bashku me vëllanë e tij, ka dalë nga rruga dhe është përfshirë nga flakët. Të dy kanë humbur jetën në vendngjarje.
Jota ishte një nga figurat kryesore të Liverpoolit që nga viti 2020, me 65 gola në 182 paraqitje. Ai ishte gjithashtu pjesë e ekipit kombëtar të Portugalisë me 49 ndeshje dhe 14 gola, duke fituar dy herë UEFA Nations League (2019 dhe 2025).
Futbolli botëror ka reaguar me trishtim të thellë. Liverpool, Federata Portugeze e Futbollit dhe figura të njohura si Steven Gerrard, Jamie Carragher e Gary Neville kanë shprehur ngushëllime publike, ndërsa shumë klube kanë vendosur flamujt në gjysmë shtizë.
Pak ditë para tragjedisë, Jota ishte martuar me partneren e tij Rute Cardoso dhe ishte baba i tre fëmijëve.