Ministria e Shëndetësisë i ka rekomanduar institucioneve publike e atyre private që të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 03 deri më 10 korrik 2025.
Këto masa mbrojtëse të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë përfshijnë:
1.1 Të përshtatin oraret e punës për të punësuarit e tyre dhe, sipas mundësive, të aplikohet orar fleksibël të punës, që nënkupton lejimin e punëtorëve që të fillojnë punën më herët në mëngjes ose të punojnë nga shtëpia, nëse ka mundësi;
1.2 Shtatzënat të lirohen nga puna gjatë orëve të pikut të nxehtësisë, ose të punojnë nga shtëpia;
1.3 Personat me sëmundje kronike dhe me gjendje shëndetësore të rënduar, të lejohen të punojnë nga shtëpia;
1.4 Të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e punës të mbyllura;
1.5 Të vendosen pika freskimi (përdorimi i çadrave të lëvizshme dhe materialeve të tjera për të krijuar hije apo zona freskimi) në vend-punishtet e hapura për freskim të punëtorëve dhe të sigurohet qasje në ujë të ftohtë për punëtorët;
1.6 Të shpërndahen informacione përmes burimeve të informimit për qytetarët për mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia;
1.7 Ata që merren me punët në bujqësi, të planifikojnë zhvillimin e punëve të tyre në mëngjes herët ose pasdite vonë, për të shmangur ekspozimin në nxehtësinë e madhe;
1.8 Institucionet private, po ashtu, këshillohen që të marrin në konsideratë këto rekomandime nga IKShPK.
Sipas Ministrisë, temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, sidomos tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, siç janë fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura.