Profesori i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj disa studenteve, nuk e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar gjyqësor që u mbajt sot, më 1 korrik 2025, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
“Jam absolutisht i pafajshëm,” deklaroi Krasniqi, pasi u pyet nga gjyqtari Bujar Ahmeti nëse e pranon fajësinë.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit, Krasniqi përsëriti se nuk e pranon fajësinë për veprën penale të ngacmimit seksual. Gjyqtari Ahmeti e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se kanë afat prej 30 ditësh për të kundërshtuar provat dhe për të paraqitur kërkesë për hedhjen poshtë të aktakuzës.
Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual, ndërsa në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria janë përfshirë katër të dëmtuara.
Më 23 prill 2024, ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, vendosi ta pezullojë Krasniqin nga detyra për gjashtë muaj. Pas përfundimit të këtij afati, më 23 tetor 2024, rektori i ri, Arben Hajrullahu, mori vendim për vazhdimin e pezullimit deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria.
Vendimi i përkohshëm për pezullimin e profesorit Krasniqi ishte rekomanduar nga ish-Këshilli i Etikës i UP-së, me qëllim që hetimet e mëtutjeshme nga Prokuroria e Shtetit të mos pengohen.