Errët
Ndritshëm

Bashkëlojtari i Edon Zhegrovës, Jonathan David pranë kalimit te Juventusi

25.06.2025
Jonathan David

Juventusi ka arritur marrëveshje personale me sulmuesin kanadez Jonathan David, njëri nga bashkëlojtarët e Edon Zhegrovës te Lille, raporton gazetari italian Alfredo Pedullà. Sulmuesi 25-vjeçar pritet të nënshkruajë një kontratë me klubin torinez, e cila do t’i sigurojë atij një pagë prej 6 milionë eurosh në vit, plus bonuse që mund të arrijnë deri në 2 milionë euro për sezon.

Megjithëse marrëveshja personale është arritur, negociatat janë ende në fazë të ndjeshme për shkak të kërkesave të larta nga agjentët e lojtarit, të cilët po kërkojnë mbi 10 milionë euro në komisione.

Jonathan David, i cili në sezonin e kaluar shënoi 16 gola në 32 paraqitje në Ligue 1 për Lille, është larguar nga klubi francez si lojtar i lirë. Ai ishte një nga figurat kyçe në sulmin e skuadrës, ku ndau fushën me yllin kosovar Edon Zhegrova.

Pavarësisht interesimit nga klubet në Turqi dhe Arabinë Saudite, David ka vendosur që sfidën e radhës ta kërkojë në Serie A, duke parë te Juventusi një hap të madh në karrierën e tij evropiane. Nëse transferimi zyrtarizohet, ai do të bëhet një nga përforcimet kryesore të “Zonjës së Vjetër” për sezonin 2025/26.

Errët
Ndritshëm