UEFA ka publikuar zyrtarisht vendet dhe oraret e ndeshjeve për skuadrat kosovare që do të marrin pjesë në garat evropiane këtë verë. Drita, Prishtina, Malisheva dhe Ballkani do të përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Drita do ta zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Differdange më 8 korrik, në ora 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja e kthimit do të luhet më 15 korrik, po ashtu në ora 20:00, në Stadiumin e Qytetit në Differdange, Luksemburg.
Prishtina e nis aventurën evropiane me një ndeshje si mysafire ndaj Sheriff Tiraspol më 10 korrik, ora 19:00, në Moldavi. Detajet për takimin e kthimit janë ende në pritje të konfirmimit nga UEFA.
Edhe debutuesit e Malishevës do të luajnë takimin e parë në “Fadil Vokrri”, ku do të përballen me Vikingur Reykjavik më 10 korrik, në ora 17:00. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 17 korrik në Islandë, në stadiumin Víkingsvöllur, ndërsa ora e saktë do të bëhet e ditur më vonë.
Ndërkohë, kampioni aktual i Kosovës, FC Ballkani, do të nis garat nga raundi i dytë kualifikues, dhe terminet për ndeshjet e kësaj faze do të shpallen nga UEFA në ditët në vijim.