Mbi 18 mijë maturantë i janë nënshtruar të shtunën testit të vlefshëm për ta siguruar të drejtën e aplikimit për studime universitare.
Edhe sivjet, si herave të tjera, u shpërndanë pyetjet në rrjete sociale nga nxënësit, të cilët kërkonin ndihmë për përgjigje.
Shkaku i përdorimit të telefonave, nga Testi i Maturës Shtetërore u largua një numër i konsiderueshëm i nxënësve, njofton Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
“Provimi është mbajtur në 158 qendra të testimit, ku maturantët janë sistemuar në 1335 salla, ndërsa sipas raporteve të komisionerëve, testi ka filluar me kohë dhe nuk ka pasur ndonjë vërejtje të theksuar.
Për shkak të përdorimit të telefonave kësaj radhe janë larguar një numër i konsideruar i nxënësve. Një raport më i detajuar për procesin do të bëhet publik javën e ardhshme, pas analizimit të raporteve nga kryetarët e qendrave të testimit.”
Këshilli i Nxënësve të Gjilanit, në një koment në faqen e MAShTI-t në Facebook, ka shprehur ankesa për mbarëvajtjen e testimit.
“Disa nxënësve u është lejuar të kopjojnë lirshëm, ndërsa disa të tjerëve, fatkeqësisht, u është mohuar kjo gjë, duke përfunduar me largim nga testi. A nuk jemi të gjithë nxënësit të barabartë!? Rregullat vlejnë vetëm për disa nxënës, dhe për disa të tjerë jo!? Diskriminim i gjallë.”
Lidhur me këto akuza, nuk ka pasur ndonjë reagim apo qëndrim nga MAShTI.
Në Provimin e Maturës, nxënësit i nënshtrohen vlerësimit mbi njohuritë e tyre për lëndën e gjuhës shqipe, matematikës, gjuhës angleze dhe një lëndë zgjedhore.
Rezultatet e testit bëhen publike më së largu deri më 30 qershor.