Një 31-vjeçar shqiptar është arrestuar nga Policia italiane në Piza, gjatë një kontrolli në zonën Crespina Lorenzana.
Sipas mediave italiane, gjatë patrullimit, policia vuri re sjellje të dyshimta nga një automjet dhe tentativën e shoferit për të shmangur postbllokun, duke hyrë në rrugë dytësore, raporton Pisa Today.
Gjatë kontrollit të makinës, policët zbuluan një mekanizëm magnetik që hapte një vend të fshehtë në pjesën e pasme të automjetit. Brenda, ata gjetën 6 pako kokainë, me një peshë totale prej 5.9 kilogramësh.
Pas arrestimit, policia bastisi edhe shtëpinë e tij në Cascina, ku gjeti:
6,800 euro si dhe pajisje të ndryshme për përpunimin dhe paketimin e drogës
Sipas autoriteteve, vlera e drogës në treg është qindra mijëra euro. 31-vjeçari ndodhet tani në paraburgim, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar lidhje të mundshme me rrjete të tjera të trafikut të drogës.