Real Madridi e nisi me barazim 1-1 kundër Al-Hilal pjesëmarrjen në Kupën e Botës për Klube, në një ndeshje ku mungoi bindja dhe ritmi, sidomos në pjesën e parë. Trajneri i ri Xabi Alonso pati debutimin e tij zyrtar në pankinën e “Los Blancos”, ndërsa në fushë u panë për herë të parë me fanellën e bardhë edhe Trent Alexander-Arnold dhe Dean Huijsen.
Portieri Thibaut Courtois, i njohur për deklaratat e tij të sinqerta, u shpreh pas ndeshjes se performanca e dobët ishte pasojë e tranzicionit të skuadrës nga koha e Carlo Ancelottit në epokën e re me Alonson.
“Kemi qenë me Carlon për katër vjet, kemi rutinat tona dhe tani duhet t’i ndryshojmë ato sipas dëshirës së trajnerit të ri. Ende kemi automatizmat nga Carlo dhe lëvizjet që duhej të bënim. Nuk është diçka që mund të ndryshohet brenda katër ditësh; nuk ndodh menjëherë. Po shikojmë video dhe po flasim shumë. Do të mësojmë nga kjo ndeshje dhe gjërat do të përmirësohen në të ardhmen”, u shpreh ai për Cadena SER.
Courtois e kritikoi mënyrën si luajti skuadra në pjesën e parë, duke thënë: “Na mungoi ritmi me topin. Na duhej të luanim më shpejt dhe të shikonim më shumë midis vijave, në mënyrë që të mos na duhej të vraponim shumë pas topit në këtë nxehtësi. Luajtëm më mirë në pjesën e dytë, pavarësisht se nuk patëm raste të mira”.
Ai gjithashtu e cilësoi penalltinë e shkaktuar nga Raul Asencio si një “budallallëk”, duke shtuar se skuadra duhet të tregohet më e kujdesshme në situata të tilla.
Xabi Alonso nga ana tjetër theksoi se ka pasur shumë pak kohë për të punuar me skuadrën dhe kërkoi durim, pasi sipas tij, konceptet që po përpiqet të vendosë kërkojnë kohë për t’u përvetësuar. “Kam një mënyrë tjetër loje, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Këta janë hapat e parë”, tha Alonso për Marca.
Real Madridi përballet të dielën me sfidën e radhës, me synimin për të ndërtuar mbi këtë nisje të brishtë në turneun ndërkombëtar.