Jack Grealish nuk do të jetë pjesë e Manchester Cityt në Kupën e Botës për Klube 2025. Lajmi u konfirmua nga trajneri Pep Guardiola në një konferencë për shtyp, ku sqaroi vendimin e marrë në bashkëpunim me klubin dhe vetë lojtarin.
“Jack është një lojtar i jashtëzakonshëm. Vendimi për ta lënë jashtë nuk kishte të bënte me cilësinë e tij, por me nevojën që ai të rikthehet në formën më të mirë. Ai ka nevojë të luajë rregullisht dhe të ndiejë sigurinë që vjen me minutat në fushë”, deklaroi Guardiola.
Trajneri katalanas theksoi se gjatë dy sezoneve të fundit, Grealish ka pasur pak hapësira në skuadër dhe se një pauzë nga angazhimet ndërkombëtare do t’i shërbejë për t’u kthyer më i fortë.
“Klubi ishte i ndershëm me të dhe ai ishte i ndershëm me klubin. Kemi vendosur së bashku që tani është momenti i duhur që të fokusohet në rikthimin e plotë. Pa kontributin e tij, sukseset tona të fundit do të kishin qenë shumë më të vështira”, përfundoi Guardiola.
Largimi i përkohshëm nga skena ndërkombëtare mund të jetë një mundësi për Grealish që të rigjejë ritmin dhe të bindë se mund të jetë sërish pjesë kyçe e projektit të Manchester Cityt.