FC Barcelona ka vendosur: Nico Williams është objektivi kryesor për përforcimin e krahut të majtë këtë verë, duke lënë pas në listën e dëshirave kolumbianin Luis Díaz. Pas javësh spekulimesh, duket se katalanasit kanë rishikuar strategjinë e tyre të merkatos, duke e rikthyer anësorin 22-vjeçar të Athletic Bilbaos në krye të listës.
Vendosmëria e Williams për t’u transferuar në “Camp Nou”, mosha e tij më e re dhe lidhjet miqësore me disa futbollistë të Barcelonës kanë ndikuar fuqishëm në këtë vendim. Krahasuar me Díazin, edhe kushtet ekonomike – ndonëse sfiduese – shihen si më të menaxhueshme.
Megjithatë, klubi katalanas përballet me një pengesë të madhe: klauzola e lirimit prej rreth 62 milionë eurosh që Athletic nuk është i gatshëm ta negociojë. Për më tepër, paga që kërkon lojtari është e konsiderueshme, çka e komplikon edhe më shumë operacionin.
Për të realizuar transferimin, Barcelona duhet të gjejë një formulë financiare të zgjuar, qoftë përmes shitjeve të brendshme apo marrëveshjeve kreative. Interesimi është serioz, por realizimi do të kërkojë durim dhe menaxhim të hollësishëm financiar.