Për të 33-tën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet. Në seancën e sotme më 17 qershor 2025, sërish nuk u votua Komisioni për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – duke mbetur në të njëjtën pikë që nga 15 prilli. Vetëm 51 deputetë votuan për, ndërsa partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk propozuan anëtarë për komisionin.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, por pa arritur konsensus apo votat e nevojshme.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi Qeverinë në largim për papërgjegjësi dhe izolim të vendit, duke theksuar ndikimin negativ në ekonomi dhe marrëdhënie me SHBA-në.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, kërkoi fundin e hipokrizisë politike dhe theksoi se nëse partia e tij do të kishte më shumë deputetë, institucionet tashmë do të ishin formuar.
Ndërkohë, Nenad Rashiq nga PPDK u shpreh se po zbehet interesi amerikan për Kosovën dhe kërkoi bashkëpunim më të gjerë politik për tejkalimin e krizës.
Zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 9 shkurt 2025. LVV fitoi 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, koalicioni AAK–Nisma 8, Lista Serbe 9, pakicat joserbe 10 dhe PLDM 1 ulëse.
Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dhënë opinion mbi kushtetutshmërinë e mënyrës së formimit të komisionit për votimin e fshehtë.