Barcelona ka hedhur një hap të madh në merkato duke siguruar shërbimet e portierit të ri Joan García. Sipas mediave spanjolle, klubi katalanas ka depozituar tashmë shumën prej 26.3 milionë eurosh në drejtim të Espanyolit për transferimin e tij, dhe zyrtarizimi pritet të ndodhë brenda 24 orëve të ardhshme.
Ky zhvillim ka ngritur menjëherë pikëpyetje mbi të ardhmen e Marc-André ter Stegen, gardianit gjerman që ka qenë titullar i padiskutueshëm për vite me radhë në “Camp Nou”. Megjithatë, vetë portieri ka qenë i qartë në qëndrimin e tij.
“Nuk kam ndërmend të largohem. E di që sezonin e ardhshëm do të jem te Barcelona. Jam 100% i përkushtuar,” ka deklaruar ai së fundmi, duke hedhur poshtë çdo zë që e lidhte me një kalim te Galatasaray apo Monaco.
Mediat spanjolle, përfshirë “MARCA”, raportojnë se Barça tani ndodhet në një pozitë delikate: nëse dëshiron të besojë te portieri i ri, duhet të gjejë një zgjidhje për Ter Stegen, i cili ka edhe tri vite kontratë dhe nuk ka ndërmend të largohet.
Opsioni i vetëprishjes së kontratës shihet si financiarisht i paarsyeshëm për klubin, ndërsa konkurrenca mes dy portierëve duket e pashmangshme.
Tani topi është në fushën e Barcelonës. A do t’i besojë të ardhmen Joan García-s, apo do të mbështetet sërish te përvoja e gjermanit? Gjithçka mbetet për t’u parë.