Errët
Ndritshëm

Igballe Huduti & Kosova Today, jo në emrin tim

13.06.2025
Fatlum Berisha

Ka një emision në Kosovë, Kosova Today, që transmetohet në Klan Kosova. Një emision që nuk informon, nuk edukon, por vetëm përçan.

Aty trajtohen gjithmonë të njëjtat tema të ndjeshme: feja, identiteti kombëtar, historia. Dhe gjithmonë ftohen të njëjtët njerëz për debate të ashpra, që më shumë ndezin konflikte sesa sjellin zgjidhje. Për të ndezur debatin, zakonisht përmendet Islami. Është bërë pothuaj standard: e përmend Islamin, ndizet debati, përçahet publiku. Kjo ka ndodhur jo një herë, por qindra herë në këtë emision.

Me çfarë merren zakonisht? Për shembull:

“Jetojnë si të krishterë, varrosen si myslimanë?”
“A është Lidhja e Prizrenit shqiptare apo osmane?”

Tema të stërtrajtuara, të përsëritura pafund, që në vend se të ndihmojnë publikun të kuptojë më mirë vetveten, e shtyjnë drejt përçarjes. Ftohen po ata njerëz. Jepen po ato mendime. Kërkohet dramë. Sensacion. Jo e vërteta.

Përçarja është produkti kryesor i tyre. Kjo është ajo që Neil Postman e quante “argëtim deri në vdekje” – kur gjithçka trajtohet si spektakël, jo si përmbajtje me kuptim.

Kur diskutohet Islami, gjithmonë ftohet i njëjti personazh – Igballe Huduti. Por kush e ka shpallur atë zëdhënëse të Islamit? A përfaqëson ndonjë institucion?

Igballe, Igi, fol. Ama, jo në emrin tim. Nuk ke faj as ti, as moderatoret e emisionit Kosova Today. Faji është te rregullatori. Te Komisioni i Pavarur i Mediave. Që i mbyll sytë përballë shkeljeve që ndodhin në këtë emision.

Cilat shkelje? Ja:

Sipas Komisionit të Pavarur të Mediave, Kodit për Ofruesit e Shërbimeve Mediale, neni 8 e thotë qartë:

“Kur flitet për një fe, duhet të jetë e qartë për publikun se kush flet dhe çfarë përfaqëson. Kur një religjion apo emërtim fetar është temë diskutimi, atëherë identiteti i religjionit dhe emërtimi duhet të jetë i qartë për publikun”.

Nëse një i ftuar flet nga perspektiva shiite, duhet të thuhet qartë që ai përfaqëson atë drejtim – në mënyrë që publiku të mos mendojë se ai flet në emër të të gjithë myslimanëve.

Po ashtu, ndalohen gjuhët e urrejtjes dhe ofendimet. Por sa herë në këtë emision dëgjojmë britma, ofendime, sulme personale? Tmerr.

Media duhet të informojë dhe të edukojë. Jo të ndajë dhe të përçajë. Kosova Today është modeli i kësaj të fundës.

Errët
Ndritshëm