Errët
Ndritshëm

Bizneset protestojnë më 11 qershor kundër daljes në treg të lirë

10.06.2025
499533066 122215721300262645 4404974435714398132 N

Bizneset kanë paralajmëruar protestë për ditën e nesërme më 11.06.2025 kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili obligon ato të dalin në tregun e lirë energjetik.

Protesta do të zgjasë një orë, nga ora 11:00 deri në 12:00. sipas organizatorëve, do të jetë paralajmërimi i parë në një sërë reagimesh që mund të ashpërsohen.

“Protesta do të jetë nesër nga ora 11:00 deri në orën 12:00. I ftoj të gjithë anëtarët tanë, dhomat sektoriale, shoqatat, por edhe ata që nuk janë pjesë por që preken nga ky vendim. E bëjmë për ekonominë e vendit dhe për qytetarët, sepse në fund çmimin do ta paguajë konsumatori”, deklaroi Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës në një konferencë për media.

Sipas tij, efektet e vendimit tashmë kanë filluar të ndihen.

“Kemi biznese që janë mbyllur, kemi biznese që kanë filluar të riorganizohen, që kanë filluar të lirojnë punëtorët”, tha ai, duke shtuar se shumë biznese nuk kanë nënshkruar ende kontrata me furnizues të rinj”, theksoi Rafuna.

Ai kërkoi që vendimi të pezullohet përkohësisht dhe të krijohet një fazë tranzicioni.

“Asnjë biznes nuk është kundër ZRRE-së, as kundër tregut të lirë. Por duhet kohë. Kërkojmë një fazë tranzicioni që të përgatitet tregu, të ketë mbështetje për investime në energji të ripërtërishme, të hiqen kufizimet për panelet solare”- tha ai, duke paralajmëruar se “protestat do të vazhdojnë dhe se do të bëhen më të ashpra”.

Aleanca Kosovare e Bizneseve gjithashtu ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestë. Kryetari i saj, Agim Shahini, tha se vendimi i ZRRE-së po e lë sektorin privat në pasiguri.

Errët
Ndritshëm