Errët
Ndritshëm

EKSKLUZIVE: Konsultimet ilegale për operacione plastike të tre mjekëve turq në Spitalin Amerikan 2, zbardhet raporti i Inspektoratit

09.06.2025
Spitali Amerikan Pa License Shenjester.net

Autorë: Flamur Hoxha & Fatlum Berisha.

Tre mjekë të huaj që ushtronin veprimtari shëndetësore pa licencë pune në Spitalin Amerikan 2 në Kosovë ishin hasur gjatë një inspektimi nga Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili ishte zhvilluar aty rreth dy javë më parë, më 27 maj 2025.

LEXO EDHE: Spitali Amerikan 2 kapet me tre mjekë të huaj pa licencë, ndërhyn Inspektorati

Përmes një kërkese për qasje në dokumente publike, Shënjestër ka siguruar raportin e plotë të Inspektoratit Shëndetësor lidhur me këtë rast. Aty thuhet se këta mjekë nuk figurojnë si pjesë e stafit zyrtar të Spitalit Amerikan 2 dhe nuk posedojnë licenca të vlefshme të Republikës së Kosovës, të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Spitali Amerikan (1)

Spitali Amerikan (2)

Ministria ka mbuluar emrat e mjekëve, por Shënjestër  i ka identifikuar tre kirurgët plastikë si: Ozan Asllan, Emrah Arslan dhe Ali Ertan Çapar.

Emrah Arslan dhe Ozan Asllan planifikonin të jepnin konsultime ilegalisht për tri ditë: më 26, 27 dhe 28 maj të këtij viti.

Inspektorati Shëndetësor ka gjetur listat e konsultimeve me pacientë të këtyre dy mjekëve për datat 26 dhe 27 maj.

Emrat e pacientëve në këto lista janë mbuluar për të mbrojtur privatësinë e tyre.

Listat E Konsultave Spitali Amerikan
Listat e konsultave

Ndërkaq, doktori Ali Ertan Çapar kishte qëndruar në Kosovë nga 15 deri më 17 maj të këtij viti. Ai kishte qenë në vend edhe më herët, më 17, 18 dhe 19 prill 2025.

Spitali Amerikan Doktoret
Dëshmi, të marra nga faqja zyrtare e Spitalit Amerikan në Facebook.

Inspektorati Shëndetësor thotë se gjatë kohës së inspektimit, Ozan Asllani është kapur duke ofruar konsultime me pacientë, bazuar në listat e konsultimeve të datës 26 dhe 27 maj.

Gjatë inspektimit janë kontrolluar edhe regjistrat e pacientëve në sallën operative, ku nuk është konstatuar kryerja e ndërhyrjeve kirurgjikale.

Spitali Amerikan (3)

Sipas një publikimi të Spitalit Amerikan 2, Ozan Asllan ka ardhur në këtë spital për të kryer disa ndërhyrje estetike.

Kështu thuhet në një postim, të cilin e ka siguruar Shënjestër, ku doktori e pranon se në Spitalin Amerikan do të kryejë disa ndërhyrje, por pa treguar datat.

Në rolin e pacientit, Shënjestër ka pyetur këtë të hënë Spitalin Amerikan nëse mund të kryhet ndonjë operacion plastik nga Ozan Asllan.

Nga spitali është thënë se doktori ka kryer konsultat dhe aktualisht nuk ndodhet në Kosovë. Sipas tyre, operacionet mund të kryhen më vonë, pa specifikuar kohën.

Biseda e plotë:

Gazetari (Pacienti): Ky doktori (Ozan Asllan) që ka ardhë prej Turqisë për operacione plastike, a është hale në Kosovë, a muj me ba termin?

Spitali Amerikan: Jo, për besë, nuk është në Kosovë doktori. Ende nuk e ka konfirmuar se kur do të vijë.

Gazetari (Pacienti): A nuk kishte pasur me ardhë tash në fund të majit?

Spitali Amerikan: Ka pasur me ardhë, por për momentin nuk e kemi datën e caktuar.

Gazetari (Pacienti): A mundem, për shembull, kur të vijë, me kry ndërhyrjen kirurgjike?

Spitali Amerikan: Po, patjetër. Doktori ka qenë, por tash nuk është. I ka kryer disa konsulta që i ka pasur, tash të shohim kur do të vijë herën tjetër.

Inspektorati Shëndetësor thotë se ka gjetur dëshmi dhe fakte për termine të planifikuara për ndërhyrje estetike nga dy mjekët, Ozan Asllan dhe Emrah Arslan.

Inspektorati pretendon se ka bashkangjitur dëshmi të tilla në raport.

Spitali Amerikan (4)

Në raportin prej 11 faqesh, këto dëshmi nuk gjenden askund. Sidoqoftë, Shënjestër ka provuar të kontaktojë Inspektoratin për t’i kërkuar terminet e planifikuara, por gjatë së hënës nuk ka marrë përgjigje.

Çfarë thotë Spitali Amerikan?

Spitali Amerikan, në përgjigjen e tij lidhur me të gjeturat e Inspektoratit Shëndetësor, thotë se Ozan Asllan ishte parashikuar që në një periudhë të shkurtër, më 26, 27 dhe 28 maj 2025, të qëndronte në repartin e kirurgjisë së përgjithshme dhe të ofronte konsultime falas për popullatën lidhur me ndërhyrjet estetike.

Sipas tyre, këto informime nuk përbëjnë shërbim mjekësor, por kanë qëllim edukativ.

Spitali Amerikan pranon se ka pezulluar ofrimin e konsultave nga Ozan Asllan dhe dy mjekët e tjerë deri në licencimin e tyre.

Spitali Amerikan (3)

Spitali Amerikan (4)

Pasojat ligjore

Inspektorati Shëndetësor i ka cilësuar këta mjekë si të paautorizuar për të dhënë konsultime, duke theksuar se ata nuk posedojnë licenca valide pune.

Inspektorati u ka ndaluar tre mjekëve ushtrimin e veprimtarisë deri në licencim dhe ka rekomanduar që raporti të shoqërohet me gjobë.

Spitali Amerikan (5)

Në raport, shuma e gjobës nuk është specifikuar konkretisht, por dënimi bazohet në nenin 94, pika 1.1.2 të Ligjit për Shëndetësi.

Aty thuhet: “Me gjobë në shumë prej një mijë (1,000) deri në njëzet mijë (20,000) euro dënohet institucioni shëndetësor në rast se, në pajtim me nenin 4 të ligjit, personave u lejohet të ushtrojnë kujdes shëndetësor pa përmbushur kushtet e parapara në nenet 40 dhe 42 të ligjit”, të cilat rregullojnë themelimin dhe licencimin e institucioneve shëndetësore nga Ministria e Shëndetësisë.

Shënjestër do t’i kërkojë sërish Inspektoratit Shëndetësor, tashmë përmes emailit, dëshmitë për terminet e planifikuara dhe informacionet lidhur me gjobën e rekomanduar. Posa të sigurohen këto dokumente, mediumi do t’i publikojë.

Errët
Ndritshëm