Errët
Ndritshëm

Tallja me popullin vazhdon, 27 dështime në Kuvend

05.06.2025

Ka dështuar edhe tentativa e 27-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Seanca e sotme u mbajt para 48 orësh, duke marrë parasysh që nesër, e premte, festohet Bajrami i Kurbanit dhe deputetët zgjodhën të mos punojnë.

Ngërçi vazhdon për shkak të insistimit të Lëvizjes Vetëvendosje për votim të fshehtë për kandidaten e tyre për kryeparlamenare, Albulena Haxhiun, e cila nuk po arrin shumicën e nevojshme.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu, ka deklaruar se kjo parti i voton për nënkryetarë të Kuvendit vetëm deputetët Nait Hasanin dhe Sala Jasharin e PDK-së.

Kryeziu tha para mediave se ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), VV-ja ka vendosur “reciprocitet”, duke mos ia votuar asnjë kandidat për nënkryetar të Kuvendit.

“Ne gjithmonë kemi marrë pjesë në votim…Është qëndrim i yni që s’do të votojmë asnjë emër tjetër për nënkryetar në radhët e PDK-së, por Nait Hasanit e Sala Jasharit. Ndërkohë, që edhe ne kemi reciprocitet ndaj LDK-së dhe s’e pranojmë asnjë propozim nga ana e tyre”, ka deklaruar Kryeziu.

Bajrami: Nuk ka nevojë për proces të ri zgjedhor

Hykmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar për media pas dështimit të 27-të me radhë për konstituimin për Kuvendin e Kosovës.

Bajrami tha se nuk ka nevojë të ketë proces të ri zgjedhor.

“Sepse nuk mund të priten as edhe ndryshime të mëdha”, deklaroi ajo.

“Ndërkohë ne e dimë të gjithë procesin tejet të ndërlikuara dhe kohën që ka marrë numri i votave nga KQZ-ja”, theksoi Bajrami para mediave.

Gashi thotë se edhe zgjedhjet janë zgjidhja!

Arben Gashi nga Lidhja Demokratike ka deklaruar se nëse nuk ka një dakordim mes partive, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet.

”Po mungon gatishmëria për një zgjidhje”.
”Mund të vijmë edhe në atë situatë ku zgjedhjet janë zgjidhje. Partitë politike nëse nuk akordohen duhet të mbahen zgjedhjet”.

Tahiri: VV po e vendos një grua si barrikadë për Kuvend

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka folur pas dështimit të seancës së 27-të konstituive.

Sipas tij VV-ja po e vendos Albulena Haxhiun si barrikadë, njofton Klankosova.tv.

“Kanë vendosur si barrikadë t’a vendosin pikërisht një grua, të cilën mendoj çdo ditë e më shumë po e dëmtojnë reputacionin e saj sepse mendoj se është sjellje e tyre e papranueshme”, tha ai.

Errët
Ndritshëm