Errët
Ndritshëm

Rreth 70 mijë euro kontrata për ekspertët, aktivistë, në Ministrinë e drejtuar nga Liburn Aliu

04.06.2025
F18b8e49 E30d 407a Ac6e D633c7f04f04

Autorë: Granit Tahiri & Fatlum Berisha.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) do të shpenzojë mbi 300 mijë euro për angazhimin e nëntë ekspertëve në kuadër të programit për banim të përballueshëm në Kosovë. Kontratat janë nënshkruar të mërkurën dhe do të zgjasin për një periudhë trevjeçare. Rreth 70 mijë euro nga kjo shumë do të përfundojnë në xhepat e dy aktivistëve të Vetëvendosjes – Atdhe Arifi dhe Abdyl Gashi – të cilët janë riangazhuar si ekspertë në këtë projekt.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte publikuar njoftimin për kontratë në mars të këtij viti. Tenderi ishte ndarë në pesë (5) llote, me një vlerë të parashikuar prej 324,000 euro. Përmes tij, ishte planifikuar angazhimi i ekspertëve në këto fusha: një profesionist në fushën e politikave të banimit, dy profesionistë në fushën e arkitekturës, dy profesionistë në fushën e ndërtimtarisë, dy në fushën e ekonomisë dhe dy të tjerë në fushën juridike, raporton Shënjestër. Kriter për dhënien e kontratës ka qenë “çmimi ekonomikisht më i favorshëm”.

Pavarësisht se nuk e fitoi pozitën që kishte synuar fillimisht – atë të profesionistit të politikave të banimit, për të cilën doli në garë pas Driton Tafallarit, Atdhe Arifi u shpërblye me pozitën e arkitektit, duke lënë pas konkurrenten tjetër Rineta Jashari. Ai do të përfitojë 35,640 euro nga tenderi. Ndërsa Abdyl Gashi, i angazhuar si ekspert i ekonomisë, do të marrë 34,200 sosh.

Shperblimet

Asnjëri prej tyre, Arifi e Gashi, nuk e mohojnë pjesëmarrjen e tyre në aktivitete të Lëvizjes Vetëvendosje. Prania e tyre në tubime partiake është e dokumentuar.

Atdhe Arifi Abdyl Gashi

Atdhe Arifi ishte kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Abdyl Gashi ishte kandidat nga radhët e Vetëvendosjes për kryetar komune në Artanë në vitin 2021.

Kështu thuhet në uebfaqen e Vetëvendosjes. Ekipi i Shënjestrës e ka konfirmuar këtë edhe përmes të dhënave që gjenden në KQZ.

Abdyl Gashi Dhe Atdheu

Të dy e mohojnë se afërsia me pushtetin ka ndikuar në përzgjedhjen e tyre nga Ministria e drejtuar nga Liburn Aliu dhe Hysen Durmishi, të dy pjesë e VV-së.

“Jo, nuk ka ndiku (afërsia me VV), nëse ke kohë ta kisha shpjegu… Unë pse kam qenë aktivist i VV, nuk do të thotë që mos me konkuru në çfarëdo konkursi shtetëror. Unë jam arkitekt, e kam kry fakultetin e arkitekturës në UP, e kam të përfunduar edhe masterin. E kam një përvojë të gjerë me kompani vendore, rajonale e evropiane në fushën e arkitekturës. M’u si ide për me apliku në ministri para 1 viti, se që një vit jam punëtor i Ministrisë si ekspert i jashtëm. Unë vazhdoj me qenë punëtor; sot e kam nënshkru kontratën që vlen për 3 vitet e ardhshme”, theksoi Atdhe Arifi për Shënjestër.

“Jo more, nuk ka ndiku aspak (afërsia me VV), ka qenë konkurs i hapur për të gjithë. Kam apliku në cilësinë e ekspertit për me kontribu në projektin “Banim i përballueshëm”, ku veçsa kam qenë më herët i angazhum. Tash veçse jemi në fazën e gurthemeleve në disa komuna. Ma herët kam qenë në cilësi të ekspertit ekonomik, ku kemi ba analiza financiare, planifikim të projekteve, kontrollime të projekteve e kështu me radhë”, tha Abdyl Gashi për Shënjestër.

Shënjestër ka tentuar të kontaktojë me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, por të mërkurën askush nuk iu përgjigj thirrjeve telefonike.

Procedura vs. rinagazhimi

Lloji i procedurës së prokurimit për angazhimin e ekspertëve nga jashtë më herët njihej edhe si angazhim me kontratë mbi vepër.

Zyrtarisht, në kriteret e këtij tenderi nuk ekzistonte asnjë ndalim për angazhimin e personave me përkatësi politike.

Kontratat janë klasifikuar si angazhim “me kontratë mbi vepër” – një formulë e njohur në administratën publike, që më herët është kritikuar për hapësirën që lë për favorizime politike.

Ky nuk është rasti i parë që Arifi dhe Gashi përfitojnë nga kontrata të ngjashme me Ministrinë e Mjedisit. Një vit më parë, të dy ishin përfitues të tenderëve njëvjeçarë: Arifi kishte marrë 11,880 euro, ndërsa Gashi 8,400 euro.

Asokohe, organizata D+ kishte zhvilluar një hulumtim mbi këtë proces, ku ishin zgjedhur ata dhe disa të tjerë. Ajo kishte konstatuar një sërë parregullsish që lidhen me përshtatshmërinë e kandidatëve të kontraktuar, mungesën e dokumentacionit dhe vlerësime të dyshimta të komisionit.

Kandidati i rekomanduar për kontratë për pozitën “Profesionist në fushën e politikave të banimit”, edhe pse mjaft i përgatitur në aspektin e kualifikimeve dhe përvojës së punës, nuk ka përfshirë në ofertën e tij metodologjinë e punës. Kjo ishte një kërkesë e shprehur qartë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), e cila, në kuadër të vlerësimit teknik të propozimeve, e kishte përcaktuar metodologjinë e punës si nënkriter me 30 pikë.

Megjithatë, në vlerësimin e bërë nga MMPHI, ku paraqitet vlerësimi i secilit kandidat për çdo nënkriter të përcaktuar, kandidati në fjalë është vlerësuar me 30 pikë për nënkriterin e metodologjisë, ndonëse nuk kishte dorëzuar fare këtë dokument.

Mungesë përvoje e theksuar në pozita të tjera të kontraktuara

Për pozitën “Arkitekt për përgatitjen teknike të projekteve për banim të përballueshëm”, kandidati i kontraktuar paraqet një përvojë pune të mangët. Sipas CV-së dhe referencave të dorëzuara, përvoja e tij profesionale është e fokusuar në planifikim arkitektonik, dizajn të enterierit dhe punë si arkitekt i pavarur. Megjithatë, për këtë të fundit nuk është ofruar asnjë dëshmi për projektet e përfunduara.

Kandidatë me përvojë të papërshtatshme për fushat përkatëse

Kandidati i kontraktuar për pozitën “Profesionist në fushën e ekonomisë”, sipas CV-së së tij, ka punuar vetëm si zyrtar financiar, duke kryer punë të natyrës administrative dhe të menaxhimit financiar të zyrës. Metodologjia e punës e dorëzuar prej tij është në formën e një letre motivimi, ku ai ka deklaruar se do të përmbushë me rend detyrat e përshkruara në dosjen e tenderit. Pavarësisht kësaj, komisioni vlerësues i ka dhënë pikët maksimale, si për nënkriterin e përvojës, ashtu edhe për metodologjinë e punës.

Kandidati tjetër i kontraktuar për të njëjtën pozitë, ka përvojë pune në fusha të cilat nuk kanë lidhje me ekonominë. Ai ka përfunduar studimet bachelor në Menaxhment dhe Informatikë, ndërsa përvoja e tij përfshin punë si agjent shitjesh në kompani distribucioni të produkteve ushqimore dhe zyrtar sigurie në një kompani ndërtimi.

Probleme të ngjashme edhe në fushën juridike

Për pozitën “Profesionist në fushën e juridikut”, vërehen gjithashtu mangësi të dukshme.

Kandidati i parë, sipas dokumentacionit të dorëzuar, ka kryer disa praktika në gjykatë dhe në komunë, si dhe ka punuar për një periudhë të shkurtër në një kompani si zyrtar ligjor. Referenca e ofruar nga kompania tregon se ai ka kryer punë si përpilimi i akteve të ndryshme ligjore dhe kontratave, si dhe punë administrative. Kjo nuk mund të cilësohet si përvojë e mjaftueshme për të qenë ekspert në një fushë specifike, siç e kërkon Rregullorja për Prokurim Publik.

Kandidati tjetër për të njëjtën pozitë, nuk ka dorëzuar fare CV në ofertën e tij. Sipas të dhënave të kontratës së tij të mëparshme të punës, ai ka punuar si menaxher produkti në një kompani distribucioni, dhe ka realizuar një praktikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) — një përvojë që nuk lidhet fare me fushën juridike.

Errët
Ndritshëm