Kupa e Botës për Klube 2025, që do të mbahet nga 14 qershori deri më 13 korrik në Shtetet e Bashkuara, po afron me shumë pritje dhe entuziazëm. Por, përkundër dominimit të tyre historik në futbollin evropian, pesë klube të mëdha nuk do të jenë pjesë e këtij edicioni – një zhvillim që ka nxitur reagime dhe debat mes tifozëve në mbarë botën.
FC Barcelona është emri më i madh në listën e mungesave. Skuadra katalanase nuk arriti të sigurojë një vend për shkak të eliminimeve të hershme në Champions League gjatë periudhës 2021–2024. Humbja e thellë ndaj PSG-së në raundin e 16-tave ishte goditja përfundimtare. Për më tepër, rregullorja e FIFA-s lejon vetëm dy ekipe për çdo shtet dhe për Spanjën, vendet i kanë zënë tashmë Real Madrid dhe Atlético Madrid.
Edhe Liverpooli, pavarësisht finaleve dhe paraqitjeve të forta në Evropë, nuk do të udhëtojë në SHBA. Chelsea dhe Manchester City, si fitues të Champions-it në këtë cikël, siguruan vendet për Anglinë. Po ashtu, Manchester United, AC Milan dhe Napoli nuk grumbulluan mjaftueshëm pikë në renditjen e UEFA-s për të hyrë në top 8 ekipet e kontinentit që kualifikohen përmes koeficientit.
Turneu i parë i këtij formati të ri do të përfshijë 32 skuadra nga e gjithë bota dhe synon të bëhet një ngjarje e përmasave të Kupës së Botës së kombëtareve. Megjithatë, mungesa e emrave të mëdhenj tregon se kualifikimi në këtë garë kërkon jo vetëm emër të madh, por edhe konsistencë në rezultatet evropiane.
Për këto pesë klube, mungesa në vitin 2025 është një paralajmërim: në epokën e re të garave globale të klubeve, vetëm suksesi i vazhdueshëm siguron praninë.