Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, ka refuzuar një ofertë të majme nga klubi saudit Al-Hilal, duke zgjedhur të vazhdojë karrierën e tij në futbollin evropian. Lajmi është konfirmuar nga eksperti i njohur i merkatos, Fabrizio Romano.
Sipas Romano-s, Al-Hilal ishte gati të ofronte mbi 100 milionë funte për shërbimet e mesfushorit portugez, por 30-vjeçari ka vendosur të mos largohet nga niveli më i lartë i futbollit në Evropë.
“Pavarësisht një oferte bujare kontrate nga klubi saudit, Bruno Fernandes dëshiron të vazhdojë të luajë në nivelin më të lartë në Evropë”, ka shkruar Romano në rrjetet sociale.
Ky vendim i Fernandes vjen në një moment kur spekulimet për një largim të tij nga “Old Trafford” ishin shtuar ndjeshëm, sidomos pas sezonit zhgënjyes të United, që e përfundoi kampionatin në vendin e 15-të. Megjithatë, qëndrimi i kapitenit pritet të japë një impuls të ri për skuadrën dhe tifozët, të cilët shpresojnë në një kthesë pozitive sezonin e ardhshëm.