Errët
Ndritshëm

Mbi 180 mijë euro dëm nga mashtrimi kompjuterik, 15 të dyshuar në pranga

02.06.2025

15 persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se kanë kryer veprën ‘’Mashtrimi kompjuterik’’ si dhe ‘’Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’’.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Gjilan.

“..pas veprimeve të koordinuara hetimore, janë ndaluar pesëmbëdhjetë (15) persona të dyshuar, me inicialet B.B., B.S., I.A., R.I., A.H., B.J., B.B., B.M., D.G., E.G., E.A., B.M., A.M., A.I. dhe Sh.M., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale ‘’Mashtrimi kompjuterik’’, sipas nenit 277 paragrafi 1, lidhur me nenet 31, 35 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ‘’Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’’, sipas nenit 301 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 dhe nenet 31, 35 dhe 77 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, të lartcekurit dyshohet se gjatë periudhës kohore janar – tetor 2024, në komunën e Vitisë, në bashkëpunim dhe në marrëveshje paraprake në mes vete kanë vepruar në mënyrë të organizuar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, duke ndërhyrë në funksionimin e sistemit kompjuterik të një institucioni bankar.

Si dyshohet se kryhej procesi i mashtrimit nga grupi?

Nga hetimet paraprake, dyshohet se të pandehurit kanë shfrytëzuar hapësirën kohore prej 15 sekondash gjatë sinkronizimit ndërmjet transaksioneve të E-Banking dhe ATM-ve, për tërheqjen e shumave të ndryshme të parave nga Raiffeisen Bank, duke shkaktuar dëm material në shumë prej njëqind e tetëdhjetë e gjashtë (186,000) euro përmes mashtrimit dhe ndërhyrjes në sistemin kompjuterik të bankës.

Po ashtu, pas ndalimit të të dyshuarve, Prokuroria do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale të cekura më lartë.

Prokuroria thotë se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që cenojnë sigurinë dhe integritetin e sistemeve financiare në vend.

Errët
Ndritshëm