Nga Napoli në elitën botërore. Amir Rrahmani ka hyrë në mesin e mbrojtësve më të mirë në futbollin ndërkombëtar, sipas renditjes më të fundit të publikuar nga Qendra Ndërkombëtare për Studime Sportive (CIES). Kapiteni i Kosovës është shpallur mbrojtësi më i mirë në Serie A dhe i katërti në botë, në një vlerësim që përforcon edhe më tej statusin e tij si një prej figurave më të rëndësishme në futbollin europian.
Instituti prestigjioz, që analizon performancat e lojtarëve në mbi 60 kampionate anembanë globit, ka publikuar listën me 20 mbrojtësit më influentë të momentit, duke u bazuar në të dhëna të avancuara dhe minuta të luajtura. Vlerësimi përfshin gjashtë komponentë të lojës: duelet ajrore, ndërhyrjet në tokë, shpërndarjen e pasimeve, avancimin me topin, krijimin e rasteve për gol dhe finalizimin.
Në krye të listës qëndron Virgil van Dijk i Liverpoolit, pasuar nga Aurelien Tchouameni i Real Madridit dhe William Saliba i Arsenalit. Menjëherë pas tyre, në vendin e katërt, vjen Amir Rrahmani, një pozicion që flet shumë për nivelin e tij dhe për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë me fanellën e Napolit në sezonet e fundit.
Vlerësimi nga CIES nuk është i vetmi sukses shqiptar në këtë listë. Berat Gjimshiti, lideri i mbrojtjes së Atalantës renditet i 17-ti në botë.
Por pa dyshim, vendi i Rrahmanit në këtë klasifikim është një ndër arritjet më të mëdha individuale për një futbollist shqiptar në historinë moderne të futbollit. Në një kohë kur Kosova dhe rajoni kanë nevojë për modele frymëzimi, Rrahmani po tregon se përkushtimi, profesionalizmi dhe qëndrueshmëria shpërblehen edhe në skenën më të madhe.