Errët
Ndritshëm

“Virus” në kontratën anti-virus mbi 600 mijë euro në Ministrinë e Punëve të Brendshme

31.05.2025
Xhelal Sveçla Shenjester.net

Autorë: Granit Tahiri & Fatlum Berisha.

Një tender në vlerë prej 628 mijë eurosh i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka ngritur dyshime për favorizim të një operatori ekonomik. Bëhet fjalë për kontratën për furnizim me licenca softuerike për monitorim dhe siguri kundër viruseve.

MPB-ja, e udhëhequr nga ministri në detyrë Xhelal Sveçla, nisi procedurën e hapur për këtë tender më 3 mars 2025. Megjithatë, pavarësisht natyrës të thirrjes, në aktivitetin e prokurimit aplikoi vetëm një kompani – “Virtuo” – e cila u shpall edhe fituese e kontratës.

Kontrata tre vjeçare është publike kornizë, që nënkupton se MPB-ja paguan vetëm për shërbimet që kërkon nga kompania. Kriteri për dhënien e kontratës ishte çmimi më i ulët, raporton Shënjestër.

Në platformën e prokurimit, njoftimi për nënshkrimin e kontratës është publikuar më 27 maj 2025. Rekomandimi për përzgjedhje ishte bërë disa javë më parë.

Kontrata Shenjester.net

Dyshime për kufizim të konkurrencës

Ekzistojnë dyshime të bazuara se kompani të tjera nuk aplikuan fare në këtë aktivitet prokurimi për shkak të kërkesave jashtëzakonisht specifike në dosjen e tenderit – kërkesa që mund të përmbusheshin vetëm nga “Virtuo”.

Në dokumentacionin e tenderit, MPB-ja kishte kërkuar që operatori ekonomik të kishte së paku një ekspert të certifikuar nga kompania Sophos, si dhe të siguronte mbështetje 24/7 direkt nga prodhuesi Sophos.

Sipas një hulumtimi të gazetës Shenjestra, partneri i vetëm zyrtar i Sophos në Kosovë është kompania “Virtuo”, fituesja e tenderit.

Sophos është një kompani ndërkombëtare e specializuar në siguri kibernetike. Ajo përdoret nga biznese dhe institucione anembanë botës për të mbrojtur sistemet e tyre nga sulmet dhe kërcënimet digjitale.

Screenshot Shenjester.net
Virtuo, partneri i vetëm kosovar i Sophos

Ankesa, pezullimi i tenderit, vazhdimi…

Mbi dyshimet për favorizim, më 8 prill 2025, kompania Infosoft kishte bërë kërkesë për rishqyrtim të tenderit në MPB, duke kërkuar anulimin e plotë të aktivitetit të prokurimit. Infosoft akuzonte MPB-në se kishte vepruar në kundërshtim me nenet 7 dhe 12 të Rregullores 002/2024 për prokurim publik, duke krijuar kushte favorizuese për një operator të vetëm dhe duke shkelur nenin 6 të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), që trajton parimet e ekonomicitetit dhe efikasitetit.

Kontrata Shenjester.net 1

Si pasojë, më 10 prill 2025, dikasteri pezulloi aktivitetin e prokurimit.

Vendimi Shenjester.net

Megjithatë, më 11 prill 2025, kërkesa e “Infosoft” u refuzua nga MPB-ja, me arsyetimin se përzgjedhja e “Virtuo” ishte bërë në përputhje me nevojën për vazhdimësi operative dhe siguri kibernetike, për të shmangur rreziqet që, sipas MPB-së, do të sillte migrimi në një zgjidhje tjetër, përfshirë ndërprerjen e shërbimeve për 13 domain-e dhe mbi 12 mijë pajisje.

“Nuk ka favorizim apo diskriminim. Kërkesat janë në harmoni me natyrën dhe ndjeshmërinë e aktivitetit, si dhe në përputhje me nenet 66 dhe 69 të LPP-së dhe me rregullativën për prokurim publik”, thuhet në vendimin e MPB-së.

Kësisoj, u dha drita jeshile për vazhdimin e aktivitetit të prokurimit.

Vendim Refuzimi Shenjester.net

“Infosoft” pretendonte në ankesën e saj se kjo nuk është hera e parë që ndodh një situatë e tillë, por një praktikë po përsëritet prej më shumë se 20 vitesh. Për sa i përket migrimit të platformës, kompania pretendon se do të kishte qenë e mundur përdorimi i një zgjidhjeje të përkohshme, e njohur si “switch one”. Sipas saj, në nivel global ekzistojnë rreth 10 kompani që ofrojnë shërbime të ngjashme me Sophos-in, madje më efikase dhe më ekonomike.

Ligji

Sipas Ligjit për Prokurim Publik, neni 6, të gjitha autoritetet kontraktuese janë të detyruara të sigurojnë që fondet dhe burimet publike të përdoren në mënyrën më ekonomike, duke marrë parasysh qëllimin dhe lëndën e prokurimit.

Ndërkaq, neni 7 kërkon që trajtimi ndaj operatorëve ekonomikë të jetë i barabartë dhe pa diskriminim, duke garantuar transparencë dhe konkurrencë të lirë në të gjitha fazat e prokurimit.

Në këtë kontekst, autoritetet kontraktuese nuk kanë të drejtë të vendosin kushte apo kritere teknike që favorizojnë operatorë të caktuar, me qëllim që të mos dëmtohet konkurrenca dhe të sigurohet një proces i drejtë për të gjithë pjesëmarrësit.

Sipas Ardit Dragushës, nga organizata D+, kriteret e vendosura në tender përbëjnë një kufizim të pajustifikuar të konkurrencës, në kundërshtim me legjislacionin e prokurimit publik.

“Kërkesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme që operatorët ekonomikë të ofrojnë vetëm licenca të Sophos për antivirus dhe siguri kibernetike është një kufizim i pajustifikuar i konkurrencës. Kjo praktikë përjashton padrejtësisht operatorët që ofrojnë zgjidhje të tjera të avancuara dhe më ekonomike, siç janë Bitdefender, ESET, Microsoft Defender for Endpoint, Kaspersky dhe SentinelOne, të cilat ofrojnë mbrojtje të krahasueshme ose më të mirë me kosto më të ulët”, deklaroi Dragusha për Shënjestër.

Sipas tij, pavarësisht se tenderi është i hapur në letër, në praktikë asnjë operator që nuk është përfaqësues i brendit Sophos nuk ka mundësi reale ta fitojë këtë kontratë. Ai theksoi gjithashtu se përmendja e brendeve në dokumentacionin e tenderit është e ndaluar me ligj, përveç rasteve kur përdoret formulimi ekuivalente.

“Argumenti se Sophos është përdorur që nga viti 2003 nuk është i mjaftueshëm për të përjashtuar konkurrencën. Në vend të kësaj, duhet të vlerësohet mundësia e migrimit në platforma të tjera që ofrojnë efikasitet më të lartë dhe kursime të konsiderueshme për buxhetin publik”, shtoi Dragusha.

Pikëpamja profesionale

Gazeta Shënjestra ka kontaktuar ekspertin e sigurisë kibernetike, Kastriot Fetahajn. Ai s`u pajtua me arsyetimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Institucionet shtetërore nuk kanë për obligim të specifikojnë një platformë të vetme si Sophos. E kam përdorur personalisht Sophos-in në kompaninë ku punoj, por nuk kam qenë i kënaqur me opsionet që ofronte. E kam ndërruar me BitDefender, një zgjidhje më efikase dhe më e lirë për ne”, tha ai për Shënjestrën.

Ai komentoi edhe pretendimin e dikasterit për rreziqet teknike që do të sillte kalimi në një tjetër platformë.

“Po, migrimi nga një sistem në një tjetër, sidomos kur bëhet fjalë për 15-20 mijë pajisje, është proces sfidues, por jo i pamundur. Nëse doni t’i hyni punës, bëhet. Nuk është çështje teknike, por vullnet dhe planifikim. Kuptohet, zëvendësimi i një endpoint protection prej një provajderi në një tjetër merr kohë dhe kuptohet se minimumi tre deri në gjashtë muaj duhet me i marrë, nëse i kemi 20 mijë përdorues ose 20.000 endpointa dhe servera”, theksoi Fetahaj.

Arsyetimi i fitueses

Shënjestër ka kontaktuar edhe me kompaninë fituese të tenderit “Virtuo”, por nga ajo nuk u ofruan përgjigje për pyetjen nëse shërbimi i kërkuar mund të ofrohej edhe pa platformën Sophos, me të cilën kanë partneritet ekskluziv.

“Tenderi ka qenë publik për të gjithë. Kemi aplikuar dhe kemi fituar. S’kam çfarë të shtoj më shumë”, tha përfaqësuesja e kompanisë, duke shmangur përgjigjen për detaje rreth Sophos-it.

Gjithashtu, nga kompania deklaruan se nuk janë të informuar nëse janë e vetmja firmë në Kosovë me bashkëpunim zyrtar me Sophos.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, “Virtuo” është në pronësi të Arita Tahirit dhe Glauk Hoxhës, të cilët zotërojnë nga 50% të aksioneve secili. Aktiviteti kryesor i kompanisë është tregtia me shumicë e kompjuterëve, pajisjeve periferike dhe softuerëve.

Gazeta Shënjestra ka kontaktuar edhe me kompaninë ankuese “Infosoft”, por nuk ka arritur të marrë përgjigje gjatë ditës së premte. Ngjashëm edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.

 

Errët
Ndritshëm