Errët
Ndritshëm

Shkëlqen PSG-ja, fiton Championsin për herë të parë

31.05.2025
Paris

Paris Saint-Germaini është fitues i Ligës së Kampionëve pas paraqitjes brilante në finalen e zhvilluar në Munih ndaj Interit.

PSG-ja dominoi plotësisht të shtunën ndaj skuadrës italiane dhe fitoi 5:0 në “Munih Football Arena”. Për skuadrën franceze ishte trofeu i parë i Ligës së Kampionëve. Ekipi i drejtuar nga trajneri Luis Enrique e fitoi “tripletën” nën drejtimin e teknikut spanjoll, pas titullit në Ligue 1 dhe Kupës së Francës. Për Luis Enriquen është “tripleta” e dytë, pas sukseseve që pati me Barcelonën në vitin 2015.

Në finale ishte edhe në vitin 2020, PSG-ja u mposht nga Bayern Munichu në Lisbonë, 1:0. Por pesë vjet më vonë, PSG-ja festoi pikërisht në stadiumin e skuadrës bavareze. Ndërkohë, Interi e pësoi disfatën e dytë në finale të ngjarjes kontinentale, brenda tre vjetësh. Para dy edicioneve u mposht 1:0 nga Manchester City.

Me dy gola e një asistim, ylli i mbrëmjes ishte 19-vjeçari Desire Doue.

Doue pas një aksioni të ndërtuar në mënyrë të shkëlqyer, e dha pasimin e fundit për mbrojtësin Achraf Hakimin. Hakimi realizoi në portën e zbrazët, por nuk festoi ndaj ish-skuadrës. Marokeni realizoi në minutën e 12-të.

Dominimi i parisienëve vazhdoi edhe në minutat në vijim. Tetë minuta më vonë, për 2:0 shënoi vetë Doue, sulmuesi i talentuar. Kësaj radhe ai u asistua nga Ousmane Dembele, por edhe me ndihmën e devijimit të mbrojtësit Federico Dimarco.

Doue ishte i pagabueshëm edhe në minutën e 63-të. Një veprim shumë i mirë i Dembeles në mesfushë kur pasoi për Vitinhan, në fund rezultoi me golin për 3:0. Vitinha, njëri prej më të mirëve në fushën e lojës, pasoi për Douen që ishte i pagabueshëm në minutën e 63-të.

“Kjo do të thotë çdo gjë. Tifozët janë arsyeja kryesore pse kemi dashur ta fitojmë këtë trofe, por e kemi dashur trofeun edhe për arsye të tjera. Është ëndërr e jona. Është ëndërr e imja dhe jam krenar që ia arritëm. Fitorja thotë çdo gjë për këtë grup lojtarësh. Është ekip shumë i mirë dhe rezultati nuk është nga magjia. Tani do të festojmë”, ka deklaruar pas ndeshjes mesfushori i parisienëve për “TNT Sports”.

Dembele, njëri prej kandidatëve për ta fituar “Topin e Artë” në muajin shtator, në asistues u kthye edhe në minutën e 73-të kur shënoi Khvicha Kvaratskhelia.

Gjeorgjiani i vetëm përballë portierit zviceran, realizoi për 4:0.

PSG-ja e shënoi edhe golin e pestë në minutën e 87-të, për ta bërë mbrëmjen edhe më të vështirë për Interin dhe tifozët e kësaj skuadre. 19-vjeçari Senny Mayulu me asistim të Bradley Barcolas e vendosi sfidën tre minuta para fundit. Ai shënoi edhe me ndihmën e shtyllës pingule duke e vulosur dominimin e parisienëve.

Te skuadra e Interit nga minuta e 70-të luajti mesfushori i Shqipërisë, Kristjan Asllani. Por, nuk la gjurmë si asnjëri prej bashkëlojtarëve të tij.

Me triumfin e së shtunës, PSG-ja u bë skuadra e dytë franceze që e fiton Ligën e Kampionëve. Në finalen e vitit 1993, Marseille e kishte mposhtur 1:0 Milanin, rivalin e Interit. PSG-ja u bë edhe fituesja e 24-t e trofeut të çmuar, me rezultatin më të thellë në një finale të Kupës Evropiane. Real Madridi kishte fituar në vitin 1960 ndaj Eintracht Frankfurtit 7:3, Bayern Munichu 4:0 e mposhti Atletico Madridin në vitin 1974. Në vitet 1989 dhe 1994, Milani kishte fituar 4:0 ndaj Steauas dhe Barcelonës.

Errët
Ndritshëm