Shefi i stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, po akuzohet nga PDK se kompania që dikur ishte e tij e tash e vëllaut ka kërkuar licencë për shit-blerje të energjisë elektrike.
Sipas Abelard Tahirit të Partisë Demokratike të Kosovës, lidhja mes vëllezërish për biznesin me energji po bëhet në këtë formë.
“Në njërën anë, kryeministri e dërgon vëllain në Departamentin për Shitblerje të Energjisë Elektrike në KEK dhe në anën tjetër shefi i stafit të kryeministrit kërkon licencë që këtyre kompanive që i kanë qitë në treg të lirë t’iu shesë energji elektrike,” tha Tahiri në një konferencë për media.
Fjalë bëhet për kompaninë Management & Development Associates L.L.C. me pronar aktual vëllaun e Luan Dalipit, Driton Dalipi.
Luani nuk e mohoj se vëllau është duke kërkuar licencim për shitjen e energjisë elektrike në tregun kosovar. Ai madje e inkurajon vëllaun të jetë sa më i suksseshëm në këtë biznes.
“Dritoni s’është ministër, s’është këshilltar, s’është as roje tek dera – është thjesht një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë të suksesshme në biznes, ka vendos, para rreth 1 viti, me provu fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër. Aplikoi ligjërisht, siç bëjnë njerëzit normalë,” shkroi në rrjetin social Facebook.
Në Kosovë çmimi i energjisë eletrike është rritur për rreth 16%, ndërsa Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se nga 1 qershori bizneset që kanë mbi 50 të punësuar ose qarkullim mbi 10 milionë euro do të dalin në tregun e lirë të energjisë.